Vuçiq organizon ‘tryezë të rrumbullakët’ për Kosovën në shtator

12.07.2017 12:59:28

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në ditët e para të shtatorit do të iniciojë një dialog të gjerë kombëtar për çështjen e Kosovës, në të cilin, përveç të gjitha partive parlamentare serbe, përfaqësuesve të OJQ-ve, personaliteteve kishtare, akademike dhe të diasporës, do të përfshihen dhe intelektualë të shquar nga e gjithë sfera ideologjike – sipas “Vecernje Novosti”.

Qëllimi ambicioz i kësaj “tryeze të rrumbullakët” kombëtare  të cilën kreu i shtetit serb e paralajmëroi që kur mori detyrën, është që Serbia të dalë me një strategjinë e homogjene për të “zgjidhur nyjën e ndërlikuar” të Kosovës.

Vuçiq, pikërisht arritjen e konsensusit të brendshëm për Kosovën dhe miratimin e Kushtetutës së re i kumtoi si një nga qëllimet kryesore të presidencës së tij. Duke folur për Kosovën, Vuciç në “TV Hepi” tha se ai shpreson se Serbia do të ketë fuqinë për të vënë gjërat në një nivel racional, dhe se ai është i bindur se kërkimi për një zgjidhje alternative është gjë më e mirë se sa ruajtja e konflikteve të ngrira. Ai, megjithatë, tha se është skeptik kur është fjala për mundësinë që kjo zgjidhje të gjendet.

Presidenti serb tha se është iluzion se SHBA-ja do të heq dorë nga kërkesa për njohjen e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se Serbia do të bëjë atë. Ai tha se “Perëndimi insiston në vazhdimin e bisedimeve, i cili, sipas mendimit të tij, në mënyrë të qartë shkon në drejtim drejt pavarësisë, por që, nga ana tjetër, ne kemi mbështetjen e Rusisë, Kinës dhe Indisë”.