VV pas arrestimit të Konjufcës: Drejtësia në Kosovë po vdes përfundimisht

10.08.2016 16:02:22

Pas arrestimit të shefit të grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka reaguar kjo e fundit.

Në reagim thuhet se arrestimi ndaj deputetëve të VV-së tregon që drejtësia në Kosovë po vdes përfundimisht.

Lexoni reagimin e plotë:

Arrestimi i Drejtuesit të Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s tregon që drejtësia në Kosovë po vdes përfundimisht.

Në një situatë ku krimet e pushtetarëve po faktohen për çdo ditë me incizime, prokuroria dhe policia – që asnjë veprim nuk e morën ndaj kriminelëve – po veprojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme për të arrestuar kundërshtarët e këtij krimi.

Sa më pak argumente e fakte që i mbesin kësaj Qeverie, aq më agresive, autoritare e policore bëhet ajo. Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, i kanë vënë të gjitha institucionet e Kosovës në funksion të realizimit të tradhtisë së tyre ndaj Republikës dhe kombit tonë.

Nuk ka dhunë e polici që do të mund t’ia bëj të pranueshme popullit të Kosovës faljen e mbi 8000 hektarëve të territorit të tij. Demarkacioni nuk do të kalojë edhe nëse mbushen burgjet me qytetarë e aktivistë opozitarë. Sa më herët që e kuptojnë këtë drejtuesit kriminalë të shtetit tonë, aq më pak pasoja do të vuaj Kosova.