Shpenzimet e djalit të Thaçit në Rio u mbuluan nga buxheti personal

10.08.2016 15:56:45

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit ishte bashkë me djalin e tij, Endritin.

Udhëtimi i Thaçit me djalin e tij nxiti debat nëpër rrjete sociale për atë se kush i ka mbuluar shpenzimet e udhëtimit të tij, por burime brenda Zyrës së Presidentit bëjnë të ditur për Indeksonline se të gjitha shpenzimet për djalin e presidentit Thaçi janë mbuluar nga buxheti personal dhe jo me paranë publike.

“Jo, Zyra e Presidentit nuk ka paguar asnjë shpenzim për udhëtimin e djalit të presidentit Thaçi në Rio të Brazilit, së bashku me delegacionin shtetëror. Shpenzimet e tij janë mbuluar nga buxheti personal”, sqaron Zyra e Presidentit për Indeksonline.

Ndryshe, shumica e presidentëve të shteteve, në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit kanë qenë me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre.

Një ftesë të ngjashme, Indeksonline mëson se e ka pasur edhe presidenti Thaçi, porse përkundër saj, djalin e tij ai ka vendosur që ta marrë në Rio me shpenzime të mbuluara nga buxheti familjar.