Marigona Halilaj-Krasniqi, vajza e zyrtares së personelit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Myrvete Halilaj, është punësuar me kontratë të veçantë si zyrtare për statistika në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndonëse me Udhëzim Administrativ pozitat e tilla nuk plotësohen me Marrëveshjen për Shërbime të Veçanta, siç ka ndodhur në këtë rast.
Në pikën 2 të Nenit 3, të Udhëzimit Administrativ 04/2016, thuhet se pozitat e nivelit profesional, administrativo-teknik, mbështetës dhe të mirëmbajtjes nuk mund të plotësohen me Marrëveshjen për Shërbime të Veçanta përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme.
Por, në bazë të dëshmive , shihet se Halilaj-Krasniqi në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ është punësuar për 6 muaj në këtë pozitë.
Në bazë të dokumenteve të siguruara shihet se vajza e zyrtares së personelit ka aplikuar për dy vende pune me kontrata të veçanta, të shpallura nga Gjykata.
Në pozitën e punës si zyrtare e statistikave, Halilaj-Krasniqi ka marrë pikët maksimale në raport me gjashtë konkurrentët e tjerë, përderisa në pozitën tjetër si zyrtare e teknologjisë informative, në bazë të pikëve është renditur e dyta në listë, duke lënë mbrapa edhe katër konkurrentë të tjerë.








































