A bëri vetëvrasje Heminguej sepse vëzhgohej nga FBI për bashkëpunimin e tij me KGB dhe Fidel Kastron?

15.02.2020 11:03:17

Pergaditi Sylejman Morina

Më 2 Korrik 1961, shkrimtari me famë botërore Ernest Hemingway u zgjua në shtratin e tij. Gruaja e tij, Maria po flinte pranë tij dhe Hemingway u ngrit pa bërë zhurmë për mos ta zgjuar. Zbriti shkallët dhe arriti në bodrumin ku mbante karabinat e tij të çmuara, me të cilat shkonte për gjueti.
Mori një dhe u ngjit në dhomën e ndenjes. Me qetësi të frikshme, drejtoi tytën e armës në gojë dhe shtypi këmbëzën.
Edhe pse vdekja e tij ishte vetëvrasje, gruaja e tij dhe mjeku e raportuan në gazeta si aksident.
Por të njohurit e shkrimtarit e dinin se i kishte dhënë fund jetës së tij. Ajo që nuk dinin ishte arsyeja.
Disa besuan se bëri vetëvrasje sepse e dinte që nuk do të shkruante më kurrë një vepër të barabartë me të mëparshmet.
Shumica argumentuan se vuante nga depresioni dhe kishte kriza të shpeshta paranoje.
Pretendimet e tyre nuk ishin plotësisht të pabazuara.
Shoku i tij i ngushtë, A. Hochner, kujtoi se vetëm disa javë para vetëvrasjes së tij, Hemingway ishte i bindur se po ndiqej nga FBI.
Kudo rreth tij shihte agjentë të FBI, që përgjonin bisedat e tij në telefon dhe montonin pajisje gjurmimi në makinën e tij.
Askush nuk e besoi dhe si duket, as ai vetë.
Më 30 Nëntor 1960, Hemingway hyri vullnetarisht në një klinikë psikiatrike, ku u trajtua me elektroshok.
Doli në Janar të 61, pa ndonjë ndryshim thelbësor.
Ende shihte agjentët dhe në rastin e parë që iu dha u përpoq të bënte vetëvrasje. E arriti gruaja e tij dhe i shpëtoi jetën, ose të paktën e vonoi vdekjen e tij me disa muaj.
U kthye në klinikën psikiatrike, ku mbeti deri më 30 Qershor.
Më 2 Korrik, i dha fund martirizimit të tij.
Për asnjë moment nuk pushoi së menduari se po ndiqej nga FBI dhe sa herë që e përmendte, thjesht përforconte besimin tek të tjerët se ishte paranojak.
Vazhduan ta karakterizonin ashtu deri në vitin 1980, kur u botua dosja e përpiluar e FBI-së mbi shkrimtarin.
Përbëhej nga 120 faqe, 15 prej të cilave u censuruan për arsye të sigurisë kombëtare.
Drejtori i FBI, J. E. Hoover e kishte Hemingway nën mbikëqyrje që nga viti 1942, kur shkrimtari u përpoq të krijojë një organizatë agjentësh antifashiste, në Francë.
Kursi pasues i Hemingway, i cili vetëm si joortodoks mund të përshkruhet, e problematizoi më shumë Hoover.
Dyshoi për akte të shumta, nga bashkëpunimi me sovjetikët deri në zhvillimin e planeve anti-Amerikane me Fidel Kastron gjatë kohës që ishte në Kubë.
Sipas librit “Spiunët: Ngritja dhe Rënia e KGB-së në Amerikë”, Hoover bëri mirë që dyshonte për të, pasi Hemingway shërbeu si spiun për KGB-në sovjetike, nën emrin e koduar “I ngadaltë” nga 1941 deri në 1950″.
Informacioni, natyrisht, nuk është konfirmuar nga burime zyrtare.
Sa i përket qëndrimit të tij në Kubë, përshtypja është se mbante marrëdhënie të ngushta me Kastron dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në fakt, Hemingway përdori ishullin si një vend argëtimi dhe shmangi aventurat politike.
Kishte pak kontakte me Kastron, megjithëse dukej se e simpatizonte.
Hemingway me të vërtetë mund të jetë vëzhguar nga agjentët e FBI, por vetëvrasja e tij nuk ndodhi vetëm për shkak të tyre.
Ishte e qartë se shkrimtari po përjetonte probleme psikologjike, madje edhe në raportet e tyre, agjentët e përshkruanin si “të sëmurë, fizikisht dhe mendërisht”.
Sipas dosjes së tij mjekësore, Hemingway kishte trashëguar nga babai i tij sëmundjen “hemokromatoza”, e cila bënte që trupi i tij të mos metabolizojë hekurin, duke shkaktuar dëme të nervave të trurit.
Babai i tij kishte kryer edhe ai vetëvrasje, ashtu si edhe motra e tij, Ursula, dhe vëllai i tij, Leicester!