A do ta humb Kosova shansin e fundit për vizat? Ja çka thotë Krasniqi

08.12.2016 21:13:04

Sonte në emisionin “Komiteti Qendror” nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ministër i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka folur për kushtëzimin që i është bërë Kosovës për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Ai ka thënë se BE’ja për liberalizim të vizave i ka vënë Kosovës kusht të prerë shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe kjo është thënë qartë.

Nënkryetari i PDK’së ka vlerësuar se vendit nuk i janë shterur të gjitha mundësitë për liberalizim të vizave, por, megjithatë, zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të arrihet vetëm me dëshirë të pozitës, dhe i takon të gjithë spektrit politik që të angazhohet.

Krasniqi  ka treguar se Qeveria është pjesërisht fajtore për pamundësinë e ratifikimit të Demarkacionit, dhe rrjedhimisht edhe të liberalizimit të vizave, por, sipas tij, pengesa kryesore e këtij dështimi është opozita me qëndrimet e saj.

Sipas ministrit të Bujqësisë, mosratifikimi i Demarkacionit nuk pasur argument që të mos ndodhë, dhe se kjo çështje ka marrë më shumë përmasa emocionale sesa racionale.