A do të përplasen ashpër edhe sonte sikur në 2013-n Thaçi dhe Vuçiq?!

24.01.2017 18:48:05

Takimi i fundit mes kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit Hashim Thaçi ishte mbajtur më 2 prill të vitit 2013, në kohën kur Thaçi ishte kryeministër i vendit, ndërsa Vuçiq zëvendëskryeministër i Serbisë.

Po atë ditë, kishte ndodhur një përplasje në mes këtyre dyve, pasi Thaçi i ishte drejtuar Vuçiqit duke i thënë se nëse nuk i rrihet në takim mund të dilte jashtë, raporton lajmi.net.

“Mua nuk më intereson se çka shkruan në Kushtetutën tuaj. Ne e kemi Kushtetutën tonë dhe shtetin tonë. Nëse ju rrihet në takim mund të rrini, nëse jo mund të dilni”, i kishte thënë Thaçi, Vuçiqit.

Ndërkaq sot gjatë ditës, pak orë para takimit të nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë në Beograd, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka ironizuar me presidentin Thaçi, duke i hedhur kështu edhe më shumë “benzinë zjarrit”.

I pyetur se çfarë do të bëjë nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkon në bisedime njohjen e Kosovës, siç ka paralajmëruar, Vuçiq ka thënë: “I thoni atij hajt tash pije edhe një kafe …”

Vuçiq ka theksuar se tema më të rëndësishme për bisedime janë përdorimi i armëve dhe mjeteve.

Ndërsa ka shtuar se i ka dëgjuar disa paralajmërime nga pala kosovare si “ne do t’ju tregojmë serbëve”, mirëpo sipas tij sa herë takohen këta të fundit nuk i thonë asgjë.

Tensionet mes palës kosovare dhe asaj serbe është e mundur të shfaqen gjatë mbajtjes së takimit, pasi janë paralajmëruar tema të “nxehta”.

Takimi sonte ndërmjet presidentit Thaçit dhe kryeministrit Mustafa në njërën anë dhe presidentit Nikoliq dhe kryeministrit Vuçiq në anën tjetër pritet të fillojë me darkën e punës që do të nis në orën 20:00.