A është Sylë Ukshini i denjë për ta përfaqësuar Kosovën në Tiranë? (Video)

27.11.2016 11:56:52

Hulumtuesi i pavarur shkencor në Institutin e Historisë, Shkodran Imeraj, ish koleg i Sylë Ukshinit, thotë se emërimi i Ukshinit në ambasadën e Kosovës në Tiranë është i papranueshëm.

Ai thotë se përfaqësimi i Kosovës me njerëz si ai, që falsifikon tituj, është degradim i institucioneve të Kosovës.

Sipas Imerajt, Sylë Ukshini tash e sa vite përdor titullin ‘doktor shkence’, titull këtë të cilin ende nuk e ka marrë.

Nga ana tjetër, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, nuk preferon të flas në lidhje me akuzat e bëra në adresë të tij, duke thënë se ‘nuk është Shkodrani ndonjë autoritet që i vlerëson titujt e të tjerëve’.

I kontaktuar nga KosovaPress, Ukshini ka thënë se është emëruar nga MPJ-ja dhe se ai është pjesë e ambasadës tash e dy vite.

Megjithatë, ish kolegu i Ukshinit, Shkodran Imeraj thotë se ministria e Punëve të Jashtme sa më parë duhet të marrë vendim për shkarkimin e këtij personi nga pozita aktuale, dhe për të njëjtin të kërkohet hetim.

“Ngarkimi i z. Sylë Ukshini në postin e të ngarkuarit me punë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, është një lajm i papranueshëm. Për vet faktin se zotëria i apostrofuar dhe përkundër që thekson në opinion dhe të qarqet akademike, se ka një titull të doktorit të mbrojtur, ai nuk e ka. Është një person i cili afër 10 vite përdor titullin e doktorit të shkencave dhe një thirrje të tillë akademike ai nuk e ka. Është në studimet e doktoratës në një nga universitetet e Gjermanisë. Dhe përderisa një personalitet akademik që i thotë vetës akademik dhe bën falsifikimin e titullit të doktorit të shkencave të jetë përfaqësues diplomatik i Kosovës, në ambasadën e Shqipërisë është e papranueshme. Është sinjal jo i mirë për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dhe mendoj që ministria duhet me revidu vendimin, duhet me e shkarkua dhe duhet që institucionet dhe ministria të merr en me këtë rast”, thotë ai, për KosovaPress.

Sipas Imerajt, politika në shenjë falënderimi për nënshkrimin e marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, ku Kosova humb një pjesë të territorit, e ka shpërblyer Ukshinin me këtë post. Ndërsa pohon se Kosova ka kuadro më të përgatitura se Sylë Ukshini, të cilët do ta përfaqësonin Kosovën në mënyrë me të denjë.

“I njëjti personalitet në raportin e komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që është nënshkruar në vitin 2015, përdor titullin e magjistrit. Ndërsa po në vitin 2015 e përdor titullin e doktorit. Dhe nga viti 2009 e përdor titullin doktor i shkencave. Atëherë rrjedh pyetja se pse ai duhet të përfaqësoj Kosovën në ambasadë. Apo politika në shenjë falënderimi për nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit ku Kosova po humb një pjesë të territorit me Malin e Zi, e shpërblen zotin Sylë Ukshini, me postin e të ngarkuar me punë”, thotë ai.

Ndërkaq i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri Sylë Ukshini, nuk preferon të flas në lidhje me akuzat e bëra në adresë të tij. I kontaktuar nga KosovaPress, Ukshini ka thënë se është emëruar nga MPJ-ja dhe se ai është pjesë e ambasadës tash e dy vite.

“S’është Shkodrani ndonjë autoritet që vlerëson titujt e të tjerëve. Mua me ka emëruar Ministria e Punëve te jashtme. Unë jam staf i ambasadës së Kosovës në Shqipëri tash e sa vite dhe i ministrisë që shtatë vite. Nuk janë çështje këto që diskutohen. Emërimin e ka bere ministria”, tha Ukshini për KosovaPress.

Emërimi i z. Sylë Ukshini si i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shqipëri erdhi pas dhënies së dorëheqjes së Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, z. Ramiz Lladrovci për të kandiduar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit , për pozitën e Kryetarit. /Telegrafi/