A është taksa kurth i kurdisur nga Thaçi dhe Vuçiq?

18.04.2019 16:46:09

Nga Rexhep Kastrati

Pas një heshtje relativisht të gjatë krahasuar me dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa të caktuara penguese ndaj Kosovës.

Këto masa kanë të bëjnë me lëvizjen e njerëzve dhe mallrave nëpër territorin e Serbisë, ndërprerjen e furnizimit me ujë nga Ujmani, ndërprerjen e transmismisionit të energjisë elektrike nëpër Serbi.

Dhe kjo po ndodh rreth 10 ditë para samitit të Berlinit, më 29 prill, e të cilin e kam quajtur “Dejton 2″, ose hyrje në ” Dejton 2″, kurse më këto masa të paralajmëruara nga Vuçiq, për shkak të taksës, po konfirmohet synimi për të tensionuar raportet Kosovë – Serbi, pra edhe në rajon dhe mbyllja përfundimtare e negociatave në Bruksel.

Tensionimi i raporteve Kosovë – Serbi mund të jetë një nga mënyrat për të destabilizuar Kosovën, qoftë për shkak të thellimit të polarizimeve politike, por edhe për shkak të një homogjenizimi negativ politik, të shpërthimit të retorikave agresive populiste nacionaliste, qoftë edhe me kriza sociale si pasojë e masave penguese nga ana e Serbisë që do të nxirrte qytetarët në rrugë për llogari të Albinit që është ana tjetër e Hashim Thaçit, përkatësisht vazhdimësia e tij.

Bllokimi i negociatave në Bruksel, do të hapte rrugën për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, të tipit të Dejtonit për Bosnjën nga do të mund të dilte një “Republika Srpska” në Kosovë, e në rast eskalimi të gjendjes në veri apo në ndonjë pjesë tjetër, edhe mundësia për të realizuar ndonjë skenar ukrainas.

Fakti se realizimi i këtyre masave penguese, Vuçiq i ka paralajmëruar për muajin maj, duhet të kuptohet edhe si një mënyrë forcimi pizicionesh para dhe në samitin e Berlinit, për të vënë shtetet përfshirë Gjermaninë në një situatë të vështirë dhe për të legjitimuar veprimet e mëvonshme,përfshirë edhe destabilizimin.

Në një rast të këtillë, Kosova do të ishte pala mbi të cilën do të bëhej e tërë trysnia dhe do të binte e gjithë përgjegjësia për dështimin e samitit të Berlinit, por edhe përgjegjësia për zhvillimet e mëpastajme në Kosovë dhe rajon.

Me barrën e përgjegjësisë dhe më peshën e masave penguese nga ana e Serbisë, Kosova do ta kishte të vështirë të përballonte një izolim ndërkombëtar dhe krizat sociale që do të shfaqeshin.

Këto do të ishin pasojat e rënda që Kosova do të bartte për shkak taksës, që mund të jetë planifikuar në takimet sekrete Thaçi-Vuçiq, e që ka përfshirë edhe Ramush Haradinaj.