A është zbehur roli i ekipit negociator pas takimit të Berlinit?

03.05.2019 19:43:46

Ditë më parë në Berlin të Gjermanisë është mbajtur Samiti i Berlinit ku u takuan liderët e Ballkanit Perëndimor nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës Emanuel Macron.

Në këtë takim nga Kosova kanë marrë pjesë presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë që rreth Samitit të Berlinit dhe kahjes që i dha ky takim dialogut Kosovë – Serbi dhe tentimeve për të finalizuar një marrëveshje përfundimtare nuk folën krerët e delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë.

Lajmi.net ka kontaktuar me njërin nga krerët e delegacionit kosovar për dialogun, Shpend Ahmeti për ta pyetur nëse është zbehur roli i tyre në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Ahmeti është shprehur se nuk marrin pjesë në takime derisa nuk ka rifillim të dialogut.“Me ligjin për dialogun ne jemi delegacioni zyrtar për të negociuar me Serbinë njohjen e ndërsjellë.

Përderisa nuk ka dialog dhe këtë e dini edhe nga deklaratat e të gjithë pjesëmarrësve në Berlin, atëherë ne nuk marrim pjesë”, tha Ahmeti.

Më tutje, ai është shprehur se delegacioni do të ballafaqohet me palën serbe në dialog direkt për marrëveshje finale.

“Pra vetëm kur rifillon dialogu ne shkojmë për tu ballafaquar me palën serbe, jo për të zëvendësuar presidentin dhe kryeministrin në takime të presidentëve dhe kryeministrave të Ballkanit”, tha Ahmeti.

Vlen të theksohet se partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dialogun me pretendimet se është anti-kushtetues.

Në anën tjetër, njohës të Kushtetutës dhe të politikës e kanë vlerësuar delegacionin e Kosovës për dialogun me Serbinë si dhe Ligjin për Dialogun si totalisht të panevojshëm.