A po ndjehen të poshtëruara SHBA-të nga qeveria e konfrontimit e Kosovës?

11.03.2020 15:14:28

Nga Rexhep Kastrati

Nuk është thjesht debati për taksën që ka shpërfaqur kundëramerikanizmin e Albinit dhe të VV-së, por është kundëramerikanizmi si ideologji, si tërësi e ideve, qëndrimeve, qasjeve dhe koncepteve që shpërfaqin një vizion, një perceptim dhe një realitet që bie ndesh me marrëdhëniet tradicionale miqësore, me një aleancë të natyrshme dhe historikisht të konfirmuar simbiotike ndërmjet shqiptarëve dhe kombit e shtetit amerikan! Kur Albini thoshte se shqiptarët nuk e duan Amerikën, nuk ishte debati për taksën! Kur Visar Imeri në cilësinë e kryetarit të VV-së e cilësonte ndërhyrjen e NATO-s kundër caqeve serbe për interesa imperialiste amerikane, nuk ka qenë debati për taksën! Jo! Por bëhej fjalë për një paraqitje në gjuhën shqipe të atyre që Beogradi i thoshte serbisht, e Moska i thoshte rusisht! Misioni i Albinit është misioni për ndarjen e Kosovës, ose kthimi në gjendjen para bombardimeve të NATO-s! Paralajmërimet amerikane për tërheqje të pranisë në Kosovë nuk mbulohen me idiotizma provokativë se Amerika nuk ka interes të tërhiqet nga Kosova! Askush nuk mund ta sfidojë atë që thotë Amerika. Serbia që e sfidoi me idenë se nuk do të krijohet konsensusi brenda NATO-s, sidomos bazuar në faktin se sekretar i përgjithshëm ishte Havier Solana që vinte, sikurse Boreli sot, nga Spanja, që nuk e ka njohur edhe sot pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, jo që u arrit konsensusi, por edhe ishte vetë Solana që dha urdhërin për sulm! Prandaj, Kosova nuk guxon, e LDK nuk guxon të jetë në një qeveri që sfidon durimin dhe seriozitetin e paralajmërimeve amerikane! Pastaj, edhe nëse nuk do të ndodhët ërheqja e pranisë amerikane, duhet pasur të qartë se Kosova po e humb perceptimin pozitiv su një model suksesi i lirisë dhe demokracisë amerikane, si model suksesi i NATO-s në parandalimin e shfarosjes së një populli! Te amerikanët e politikës dhe të qytetarët amerikanë po forcohet perceptimi se Kosova po keqpërdor praninë amerikane për llogari të projekteve serbe, ruse e të aleatëve të tyre në Evropë! Me sjelljen dhe konfrontimet lidhur me taksën, veçsa është shkelur Amerika në kallo, sepse në dy raste po refuzohet në mënyrë arrogante: në rastin e parë kur bëhej fjalë për mundësinë që taksa të suspendohej përkohësisht dhe të rikthehej nëse Serbia do të vazhdonte fushatën e ç’njohjeve! Dhe tash me kërkesën ultimative për heqjen pa kushte të taksës. Mundësia e suspendimit të përkohshëm të taksës ishte një mundësi e artë dhe një privilegj që SHBA ia bënte Kosovës, duke e bartur topin në fushën e Serbisë gjithnjë me kushtin se nëse nuk ndalte fushatën e ç’njohjeve të Kosovës do të ballafaqohej me sanksione të forta dhe izolim ndëekombëtar dhe kthim të taksës, kurse Kosova do të kishte gjithë mbështetjen dhe solidaritetin ndërkombëtar! Kosova refuzoi Amerikën, apo thënë më mirë poshtëroi ndërkombëtarisht atë, dhe ngjalli iritimin, misdurimin dhe nervozën te amerikanët! Dhe tash Kosova po ballafaqohet edhe me të gjitha këto, edhe me mundësinë që t’i rëndojë edhe më shumë iritimin, mosdurimin dhe nervozën e amerikanëve, ose ta zbusë duke e mbajtur apo hequr taksën! Këtu tashmë nuk po bëhet fjalë thjesht për taksën, por për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, për raportet me SHBA-të dhe me aleatët dhe për rrezikun të bëhet mish për top në ndryshimet gjeopolitike në Evropë dhe në botë!