A po provon Vuçiq të bëjë pazar në Bruksel me karrierën e tij politike?

07.05.2018 20:56:52

Nga Rexhep Kastrati

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se pavarësisht se çfarë do të jetë zgjidhja për Kosovën, do të jetë fundi i tij politik! Në këtë, duhet të kihet parasysh ajo që ai  e quan “zgjidhje për Kosovën” dhe “fundi politik” dhe raporti ndërmjet tyre.

Kjo duhet të shihet në disa aspekte që kanë të bëjnë me opinionin e brendshëm serb dhe ndërlidhjen e fundit të tij me negociatat në Bruksel, përkatësisht që fundin e tij politik ta paraqesë si një çmim që ai e paguan personalisht, për çka duhet të kompensohet nga Brukseli.

Në aspektin e opinionit të brendshëm, Vuçiq po përpqiet të përgatitë opinionin serb për mundësinë që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, e që është një nga kushtet e rëndësishme dhe kryesore që i është vënë dhe një nga detyrat që ka marr përsipër ta kryejë.

Edhe pse opinioni serb e ka të qartë se Kosova është e humbur për Serbinë, megjithatë politika serbe, Kisha Ortodokse Serbe dhe institucionet shkencore e kanë mbajtur të pushtuar mendjen dhe ndjenjat shoveniste serbe.

Edhe pse me tone më të zbutura dhe në mënyrë më të kamufluar, propaganda hegjemoniste serbe kundër Kosovës e bazuar në supremaci racore, në mitologji dhe në histori të falsifikuar ka vazhduar edhe gjatë viteve të pasluftës.

Një angazhim e z. Kostiq, kryetarit të atëhershëm të Akademisë Serbe të Arteve dhe të Shkencave, më 2016 për të kuptuar realitetin dhe për të ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, pat ngjallë reagime të fuqishme politike dhe kishtare, dhe kishte detyruar Akademinë që të distancohej nga qëndrimi i këtillë, kurse Nikoliq, presidenti i atëhershëm i Serbisë do të deklaronte se zbatimi i kapitullit 35 të BE-së pnga ana e Serbisë, do të nunkuptonte luftë civile në shtetin e tij.

Pra, me paralajmërimin e fundit politik të tij, Vuçiq do të përgatitë opinionin që të pranojë më me qetësi dhe më me maturi njohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës.

Përveç kësaj, Vuçiq me ndërlidhjen e fundit të tij politik me atë që ai e quan “zgjidhje për Kosovën”, Vuçiq po synon të personalizojë përgjegjësinë në mënyrë që të shmangë ndonjë reagim kolektiv apo ndonjë trazim dhe destabilizim eventual të Serbisë nga ultranacionalistë dhe nga Kisha Ortodokse Serbe.

Aspekti i dytë, pra aspekti i paraqitjes së fundit të tij politik si një çmim të rëndë personal që Vuçiq e paguante për “zgjidhjen për Kosovën”, dhe novojën për kompensim me kompromise në Kosovë, duhet kuptuar edhe si vazhdimësi e aspekti të parë, por në mënyrë të veçantë me çështjen e Asociacionit, përkatësisht me kompetenca ekzekutive që duhet t’i ketë.

Pra, Vuçiq do të kërkojë që Brukseli, por edhe Uashingtoni të pajtohen që si kundërpeshë për peshën e rëndë që ka njohja eventuale e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, Asociacionit t’i jepen kompetenca ekzekutive, por edhe që në kuadër të transfomimit të FSK-së në FA, rë mundësohej një strukurë ushtarake  e saj nën kompetencat e Asociacionit.

Me fjalë të tjera, Vuçiq do një “Republika Srpska” në Kosovë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

A duhet parë në këtë kontekst edhe platformën pesëpikëshe të Kadri Veselit, është çështje që mund dhe duhet të trajtohet në një shkrim të veçantë, por gjithsesi, mbështetja që kryetari i PDK-së i ka dhënë qëndrimit që negociatat në Bruksel t’i udhëheqë Hashim Thaçi, i cili është përfolur për takime sekrete me Vuçiqin dhe kur është diskutuar madje edhe shkëmbimi i territoreve, dhe që është politikani që ka nënshkruar shumicën absolute të marrëveshjeve në Bruksel, është një dëshmi se edhe në Kosovë po mundohet të përgatitet opinioni për një “Republika Srpska”, pra për një Asociacion me kompetenca ekzekutive.