AAK kërkesë qeverisë: Mos lejoni hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë

05.01.2017 13:43:04

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërpresë bisedimet me Serbinë e po ashtu të mos lejojë zyrtarët serbë të hyjnë në Kosovë.

Kjo kërkesë e Gjinit ka ardhur pasi që autoritetet franceze mbrëmë arrestuan liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj pas një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.

“Kërkojmë që autoritete franceze të kuptojnë se këto fletëarreste nga Serbia nuk kanë asnjë variant për qëllim zbardhjen çfarëdo drejtësie apo sjellje të drejtësisë por vetëm destruktivitet ndaj Kosovës”, ka thënë Gjini.

Gjini ka theksuar se gjatë ditës pritet që Haradinaj të hyjë në procedurë ligjore në Francë, duke shpresuar se kjo çështje do të përfundojë më shpjet.

“Shërbimi diplomatik i Kosovës e ka vizituar z.Haradinaj duke na e bërë të ditur se është mirë pasi ai asnjëherë nuk sillet në pozita të palakueshme dhe vetëm Kosova po sillet në pozita të palakmueshme .Nuk mund ta dijmë se a do të kthehet sot, ambasadori francez në Kosovë na e ka bërë të ditur se po bëhet gjithçka që kjo procedurë të rregullohet sa më shpejtë dhe të kuptojnë se këto fletëarreste nuk anë të bëjnë fare me drejtësi por janë të drejtuar kundër udhëheqësve të Kosovës”, ka shtuar Gjini.

Ai ka shtuar se janë duke pritur për vendimin e sotëm dhe se janë të bindur se autoritete franceze e kanë kuptuar drejtë situatën se ku e ka sjellë Haradinajn dhe Kosovën, Serbia me këto fletëarreste.