AAK kërkon hetim ndaj Thaçit dhe eksponentëve të PDK-së për manipulime financiare

10.10.2016 20:29:29

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur shqetësim pas bërjes publike të disa deklaratave, për përfshirjen e disa eksponentëve të PDK-së, duke përfshirë edhe ish kreun e saj, Hashim Thaçin, në manipulime financiare përmes sistemit bankar.

AAK, kërkon hetim të menjëhershëm të kësaj çështjeje, dhe transparencë para opinionit publik.

“Prokuroria e shtetit, duhet t’i trajtojë me urgjencë deklaratat e ish guvernatorit, që e implikojnë Hashim Thaçin në manipulime financiare”, thuhet në reagimin e AAK-së, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, deklaratat e Hashim Thaçit, për hetimin e vrasjeve dhe të krimeve të bëra në Kosovë, qoftë gjatë, qoftë pas luftës në Kosovë, AAK i konsideron deklarata të vonuara dhe hipokrizi të tij.

“Vetë zoti Thaçi, që prej vitit 1999, ka qenë personi me mandatin më të gjatë qeverisës në Kosovë, dhe ai këto çështje ka mundur t’i kishte iniciuar shumë kohë më parë”, thuhet në njoftim.

AAK, inkurajon organet e drejtësisë, që t’i hyjnë me themel zbardhjes së të gjitha vrasjeve në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike, por edhe krimeve të tjera, të cilat e kanë dëmtuar qytetarin dhe shtetin e Kosovës.