AAK konfirmon pjesëmarrjen e Haradinajt në takimin e ftuar nga Osmani e Kurti

12.03.2021 15:39:30

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë të ditur se kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth formimit të institucioneve.

“Pas konsultimeve në Kryesi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmon prezencën e kryetarit z. Ramush Haradinaj në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të hënën në ora 13:30 në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente, Vjosa Osmani u kanë dërguar letër partive politike ku i ftojnë që me datë 15 mars (e hënë) të takohen për të diskutuar për konstituimin e institucioneve të vendit.

Ndryshe pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq LDK-ja ende nuk ka bërë të ditur nëse do të marrin pjesë në këtë takim./Telegrafi/