AAK: Ndalja e Haradinajt s’ka lidhje me Gjykatën Speciale

11.02.2017 15:39:12

Avni Arifi, këshilltari kryesor i liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, ka thënë se ndalja e ish-Kryeministrit në Francë nuk ka asnjë lidhje me Gjykatën Speciale, e cila do t’i gjykojë të dyshuarit për krime të supozuar gjatë luftës së UÇK-së.

Këto komente Arifi i ka bërë pas disa raportimeve se Haradinaj është ndalur në Francë për t’u gjykuar më vonë për krime lufte nga Gjykata Speciale.

“Asnjë lidhje me gjykatën speciale nuk ka ndalja e Ramush Haradinajt në Francë. Mjaftë më me teori të thata konspirative. Suksesi i arkitektëve të kësaj ndalje fillon dhe mbaron me futjen e z. Haradinaj në procedurat e gjyqësorit Francez. Si erdhi deri aty është pyetje interesante!!!”, ka shkruar Arifi, në një reagim.

“Por tash çështja është si tē shqyrtohen ma shpejtë ‘broqkullat’ serbe e jo çka sjell shqyrtimi i tyre. Ndonëse pritja është frustruese për të gjithë dashamirët e Ramushit, procedurat do të përfundojnë dhe çdo gjë do të kujtohet si një përvoj e keqe”, ka shtuar ai.