AAK: Raporti i matjes së territorit-përmbledhje përrallash

08.03.2017 21:16:12

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj Raportit të Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës, duke e quajtur këtë raport një grumbull përrallash.

“AAK, vëren se raporti i qeverisë së Kosovës mbi matjen e territorit, nuk prezanton asgjë tjetër veç një grumbull përrallash me qëllim, mashtrimin e opinionit publik. Raporti mund të cilësohet edhe kundër interesave të Kosovës dhe fyes për klasën politike, ekspertët e fushës dhe opinionin publik”, thuhet në reagimin e AAK-së, transmeton Telegrafi.

“Qeveria e Kosovës është përgjegjëse pse ka lejuar, fabrikimin e një materiali të gënjeshtërt, me plot të pavërteta dhe përmbajtje joserioze grafike dhe faktike. Publikimi i fotografive qesharake në raport, paraqet një tallje me opinionin e shqetësuar publik e politik të vendit. Kjo e ulë autoritetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në planin e brendshëm”.

AAK, e fton Qeverinë e Kosovës që urgjentisht ta zhvlerësojë ketë raport, ndërsa hartuesit e tij t’i marrë në përgjegjësi për tallje dhe prezantim të faktografive të pavërteta dhe manipuluese për opinionin.

“AAK poashtu fton ekspertët e pavarur që ta japin kontributin e tyre intelektual e atdhetar dhe ta thonë të vërtetën për raportin e manipuluat të matjes së territorit të Kosovës!”, thuhet në reagim.