Projektligji për FSK-në pa bashkërendim me SHBA-të dhe NATO-n – bazë për luftë shqiparo-serbe dhe për skenarë ukrainas

08.03.2017 21:01:24

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi ka proceduar në Kuvend projektligjin që i jep FSK-së atribute të ushtrisë së Kosovës, kurse Kryesia e Kuvendit ia ka kaluar Qeverisë procedimin e mëtejshëm të tij. Gjithseis ky është një zhvillim i ri që paraqet zbythjen e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit përballë trysnisë nga SHBA dhe NATO.  Dhe kjo zbythje, do të duhej të kuptohej si dështim i turrit populist të tyre, por edhe si përpjekje për ta bartur në Qeveri përgjegjësinë për fatin e mëtejmë të këtij projektligji.

Në kontekst të zbythjes si dështim i turrit populist dhe të tipit elektoral, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të duhej të kërkonin falje publike për lojën me emocionet e qytetarëve të Kosovës, të cilët në mënyrë unanime, përpos serbëve, duan që edhe shteti ynë të ketë ushtrinë e saj si simbolikë e shtetësisë dhe si krenari shtetërore. Kjo kërkimfalje do të duhej të vinte edhe për shkak se nga ky manipulim me ndjenjat e qytetarëve, në fakt, këty dy krijuan edhe ndjenja të përziera dhe stresuese për shkak të reagimeve të ashpra që NATO dhe SHBA u detyruan të bënin publike pas reagimeve nëpërmjet kanaleve zyrtare me ministrin e FSK-së, z. Demolli, dhe me vetë Hashim Thaçin dhe kryeministrin Mustafa.

Procedimi i projektligjit që FSK-së do i jepte atribute ushtarake, në fakt krijoi incident të rëndë diplomatiko-ushtarak me partnerët kryesorë të Kosovës: SHBA dhe NATO, e që do të ishte me pasoja të rënda dhe të pariparueshme për Kosovën.

Është kështu për faktin se me këtë projektligj, vihej në dyshim misioni i KFOR-it, pasi që sekretari i nATO-s, Stoltenberg ka paralajmëruar ndryshimin e tij, e që do ta rrezikonte seriozisht sigurinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. Është kështu se atëherë, do të ishte FSK që do të merrte këtë rol, e që për Serbinë është një dhuratë e madhe, pasi që do të mund të arrinte dy qëllime: 1. nxitjen e serbëve që si kundërpeshë të tërhiqeshin nga FSK dhe të krijonin edhe ata ushtrinë e tyre në Kosovë, e që pashmangshëm do të çonte në konflikt shqiptaro-serb, dhe që do të mundësonte qëllimin numër 2. futjen e forcave serbe në Kosovë dhe realizimin e skenarit ukrainas, pra të aneksimit të veriut të saj.

Nëse këtë çështje e shohim të shtrirë në kohë, atëherë nuk mund të mos shihet edhe si vazhdimësi e angazhimeve kundërshtetërore dhe kundërkombëtare të Hashim Thaçit dhe të linjës së Tiranës/Kretës, asaj udbasho-jugosllavokomuniste, të strukturave mafiozo-politike që të gjitha këto kontrollojnë edhe koprusin medietik. Në këtë kontekst, duhet thënë se Hashim Thaçi ka deklaruar më shumë se një herë se serbët e Kosovës kanë qenë të gatshëm të votojnë ndryshimet kushtetuese për tansformimin e FSK-së në FA, më 2014, por ja që zgjedhjet e kishin penguar këtë.

Nëse kemi parasysh kërkesat e serbëve që në kuadër të ushtrisë së ardhshme të Kosovës të ishte një ushtri er serbëve, atëherë mund të thuhet se gatishmëria eventuale e tyre për të votuar ndryshimet kushtetuese për transfrmimin e FSK-së në FA do të nënkuptonte edhe të drejtën e serbëve për të pasur një ushtri brenda ushtrisë, e cila do të mund të operonte në veri të Kosovës. De facto kjo do të thoshte krijim i një “Republika Srpska” në Kosovë. Në këtë kontekst duhet parë edhe deklaratën e ambasadores së atëhershme amerikane, Trejsi An Xhekobson, e cila në dhjetor të vitit 2013 kishte shprehur shqetësimin për mundësinë e krijimit të një “Republika Srpska” në veri të Kosovës.

Së këndejmi, edhe procedimi i tashëm i projektligjit që do t’i jepte FSK-së atribute të ushtrisë, do të kishte efekte të njëjta, sepse do të nxiste edhe serbët të krijonin ushtrinë e tyre dhe krijimin e një “Republika Srpska”, ashtu siç dëshiron Serbia, si bazë për zbatimin e skenarit ukrainas, apo edhe drejtpërdrejt nëpërmjet invadimit të Serbisë në veri.

Zbythja e hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit nga procedimi i përshpejtuar në Kuvend dhe bartja te Qeveria e Kosovës, ka shmangur përplasjen e fortë me NATO-n dhe me SHBA-të, si dhe ka penguar përplasjen edhe me serbët dhe me Serbinë.

Bartja e procedimit të mëtejmë te Qeveria e Kosovës, ndërkaq, po synon që të bartë përgjegjësinë për fatin e mëtejmë të këtij projektligji pikërisht te ekzekutivi i vendit, e në mënyrë të veçantë te kryeministri Mustafa dhe ministri i FSK-së, Demolli. Në këtë mënyrë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë përpjekur të mbulojnë dështimin dhe përgjegjësinë për një akt me pasoja të rënda për vendin, duke e bartur te Qeveria.

Kjo situatë është e njëjtë apo e ngjashme edhe me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, e që është situatë e trysnisë ndërkombëtare dhe vendore me kahje të kundërt. Kjo do të thotë se tashmë do të jetë Qeveria e Kosovës e cila do të ballafaqohet me trysninë ndërkombëtare për të shmangur situata konfliktuale në vend dhe në rajon, si dhe me trysninë politike të brendshme për ta proceduar me patjetër këtë projektligj në Kuvend dhe për ta miratuar. Si në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, në njërën anë Qeveria e Kosovës është në trysni të madhe nga BE dhe nga SHBA për të ratifikuar marrëveshjen, kurse në anën tjetër, është në trysni nga forca politike dhe nga koprusi medietik i kontrolluar nga strukura mafiozo-politike për të mos e ratifikuar.

Në të dy rastet, Qeveria e Kosovës do të gjendej ndërmjet kudhrës dhe çekanit dhe do të ballafaqohej me situata tensionuese, bllokuese dhe me retorika pseudopatriotike të eshalonit kundërkombëtar, përaktësisht të kolonës së pestë që përdorë patriotizmin dhe ndjenjat e qytetarëve për ta rrënuar shtetin e Kosovës.

Gjithsesi, pavarësisht nga këto, tashmë ka dalë e qartë se hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe gjithë mafia politike e medietike janë të angazhuara në axhenda kundërshtetërore dhe kundërkombëtare, e që do të bënte të qartë se të gjithë hapat e pabashkërenduar me aleatët tanë, sidomos me SHBA dhe NATO-n, janë hapa kundërshtetërorë dhe kundërkombëtarë. Prandaj, edhe Qeveria e Kosovës do të mund ta shtyjë këtë çështje vetëm në bashkërendim me aleatët tanë, nga i cili do të dilte një model i pranueshëm edhe për Kosovën, edhe për aleatët tanë, edhe për misionin e NATO-s në Kosovë.

Zatën, edhe kryeministri Mustafa, edhe ministri i FSK-së, Demolli kanë deklaruar vazhdimisht se transformimi i FSK-së në FA apo edhe dhënia e atributeve ushtarake për FSK-në duhet dhe mund të bëhet vetëm në bashkërendim me NATO-n, SHBA-të dhe në përgjithësi me aleatët tanë.

Kjo është e vetmja rrugë dhe e vetmja mundësi që kjo çështje të mbyllet suksesshëm dhe të mos shndërrohet në një arsye dhe mundësi që do të shërbente për skenarë ukrainas nga ana e Serbisë.

Gjithsesi Kosova duhet dhe do ta ketë ushtrinë e saj, por kjo nuk mund as nuk duhet të bëhet çështje e shpërfaqjeve të arrogancave, të senzacioanlizmave, vetëheroizimeve dhe të fushatave elektorale që vetëm sa e dëmtojnë Kosovën dhe shqiptarët në rajon.