Shqyrtohet mundësia e hapjes së Fakulteti juridik gjerman në Kosovë

08.03.2017 20:26:30

Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, me ftesë të Ministrit të Drejtësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, ka qëndruar për vizitë dy ditore në Berlin, njofton kumtesa ministrore.

Në takim me Hoxha ka falënderuar për mbështetjen e deritashme që Gjermania i ka dhënë Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Në veçanti Hoxha ka falënderuar ministrin Maas për kontributin për reformat që do të bëhen në sistemin e drejtësisë në vend. Me këtë rast Ministrja kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë së Gjermanisë për procesin e hartimit të Kodit Civil sipas modelit gjerman si dhe për reformat tjera që po ndërmerren siç janë rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit, përgjegjësia disiplinore e gjykatësve dhe prokurorëve, të gjitha këto reforma në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit.

Hoxha dhe Maas diskutuan mundësinë e hapjes së një Fakulteti Juridik gjerman në Kosovë, me qëllim të forcimit të arsimit në fushën juridike.

Ministri federal i Drejtësisë, Heiko Maas ka shprehur përkrahje ndaj punës së Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës duke vënë në pah gatishmërinë për mbështetjen e mëtejme për drejtësinë e Kosovës dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Do të jemi pranë jush në zgjidhjen dhe tejkalimin e sfidave në fushën e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë. Përkrahja jonë nuk do të mungojë dhe ekspertët tanë do të ofrojnë mbështetjen e tyre jo vetëm gjate hartimit të legjislacionit por edhe gjatë zbatimit të tyre, duke ofruar përvojat më të mira”, theksoi ministri Maas.