Abazi: Thaçi më nuk mund të luajë me fatin e Kosovës

10.03.2020 18:51:20

Në ditën kur nga administrata e SHBA kanë ardhur paralajmërime serioze për Kosovën, për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, zëvendëskryeministri Haki Abazi, nga LVV, ka kërkuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që të “ta bëjë publik planin që e ka diskutuar me vite, le ta garantoj njohjen, le ta garantoj paprekshmërinë e territorit dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se më 6 tetor Kosova ka ndryshuar përgjithmonë.

“Thaçi nuk ka pushtet e as të drejtë kushtetuese, nuk mundet më të luaj me fatin e Kosovës e as popullit të Kosovës, nuk mundet më të dërgojë ushtarët e UÇK-së në Hagë, nuk mundet me copëtu Kosovën për pazaret e tij. Thaçi ka mbaruar një kulaç tani duke futur Kosovën në eksperimente të cilat janë dëmtuese e mashtruese”, ka shkruar Abazi.

Postimi i plotë i Abazit:

“Me 6 Tetor ka ndryshuar Kosova përgjithmonë!

Thaçi nuk ka pushtet e as të drejtë kushtetuese, nuk mundet më të luaj me fatin e Kosovës e as popullit të Kosovës, nuk mundet më të dërgojë ushtarët e UÇK-së në Hagë, nuk mundet me copëtu Kosovën për pazaret e tij. Thaçi ka mbaruar nje kulaq tani duke futur Kosovën në eksperimente të cilat janë dëmtuese e mashtruese.

Le ta bëjë publik planin që e ka diskutuar me vite, le ta garantoj njohjen, le ta garantoj paprekshmërinë e territorit dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës. A mundet?! Ashtu siç garantoi vizat? Kujt i ka borxh? Kosova nuk i ka borxh!

Kosova demokratike për herë të parë ka një kryeministër që asnjeherë nuk ka qenë kundër qytetarit dhe gjithmonë ka vendosur në anën e interesit të vendit dhe të kombit. Vetëm kështu bëhemi vërtet shtet.

Thaçi ka eksperimentuar me gjykatën speciale( thikë pas shpine Amerikës) dhe ka rrëzuar qeveritë me LDK, me AAK dhe secilin partner që ka pasur. Për 7 vite ka negociuar me Vucic dhe tani është kujtuar të ofendojë Evropën ashtu siç ofendonte Amerikën dikur. I njejti është, kryeshefi i PRONTOs që shpërdanë lajme e dëmton kundërshtarët politikë duke u shërbyer me të pavërteta dhe jo vetëm.

Kosova është proAmerikane, proEvropiane dhe demokratike dhe përgjithmonë do të mbetet e tillë!”(sic.), ka shkruar Abazi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar sot urgjentisht që Qeveria e Republikës së Kosovës, të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës me qasjen e tyre e ka vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e shtetit tonë.

Reagimi i presidentit Thaçi vjen pasi Saenatori amerikan, David Perdue ka paralajmëruar SOT mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë, në rast se kjo e fundit nuk e heq tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Paralajmërimet e senatorit Perdue janë mbështetur edhe nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell.