Abrashi beson se gjykata kushtetuese do të marrë vendim në favor të tyre

04.05.2020 12:15:11

Pas takimit me AAK-në dhe Nismën, deputeti i LDK-së, Arban Abrashi ka thënë se janë takuar për të trajtuar programin qeverisës. Po ashtu Abrashi ka folur edhe për mos publikimin e marrëveshjes me Listën Serbe dhe emrat e ministrave të LDK-së.

“Sot jemi takuar me përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës për të trajtuar programin tonë qeverisës dhe kemi biseduar për orientimet tona programore, për çështjen e pandemisë, dhe gjithsesi edhe për rimëkëmbjen ekonomike të cilën dëshirojmë ta fusim si prioritetet të lartë në programin tonë qeverisës”, ka thënë Abrashi.

Duke folur për lëndën e cila është në Kushtetuese, Abrashi ka thënë se beson që kjo gjykatë do të marrë vendim në favor të tyre.

“Besoj që po. Praktikat e parlamenteve po edhe vet sistemi jonë parlamentar tregon se aj që e ka shumicën edhe ndërton qeverinë”, tha tutje Abrashi.

Ai po ashtu ka folur edhe për marrëveshjen me Listën Serbe, e cila nuk është publikuar akoma.

“E publikojmë nuk është problem. Sot jemi taku për program. Nuk ka asgjë për të fshehur”, ka thënë ai.

Duke folur për programin qeverisës, Abrashi ka thënë se bazë do të jetë program i LDK-së të cilin e kishin prezantuar edhe në qeverisjen me VV-në.

“Me siguri që por baza do të jetë program i LDK-së. Në parim, kur kemi diskutuar me Listën Serbe, pra ju kemi thënë ne ju japim përgjigjeshe kushtetuese, pra qa sa ju takon me Kushtetutë. Pak a shumë aq sa ka pasur në Qeverinë Kurti”, ka thënë Abrashi.

Abrashi foli edhe për raportimet se ka pasur mospajtime brenda LDK-së lidhur me emrat e ri për ministrat nga kjo parti.

“Nuk ka pasur mospajtime, sepse marr pjesë në të gjitha takimet, ajo që ka dal në media është një “fake news”. Nuk kemi mbërri ende tek emrat”, ka thënë Abrashi.