Abrashi: Kemi mbështetjen e AAK-së dhe Nismës, me PDK-në ende s’kemi komunikim

19.03.2020 15:38:50

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi, ka pohuar se kanë marrë mbështetjesh nga AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate, por që ende nuk kanë pasur ndonjë kontakt me PDK-në.

Ai foli pas takimit që kryetari i LDK-së Isa Mustafa, zhvilloi me atë të Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj.

“Folën për gjendjen e tashme dhe mocionin e mosbesimit. Takimet kanë pasur efekte pozitive. Me PDK-në nuk kemi pasur mundësi me u taku”, tha Abrashi.

Ai bëri të ditur se gjatë ditës kryetari Mustafa do të zhvillojë një bisedë telefonike edhe me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin.

Abrashi tha se janë detyruar të ndërmarrin këtë hap pasi që Vetëvendosje shkeli marrëveshjen.

Ndryshe, gjatë ditës, kryetari i LDK-së Mustafa zhvilloi takim me Ramush Haradinajn e AAK-së. Edhe ai tha se do ta votojë mocionin për rrëzimin e qeverisë.