Basha me të rinjtë në Durrës: Zgjidhje konkrete me të marrë pushtetin

11.02.2017 22:17:05

Pas një takimi me të rinj demokratë në Durrës, kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se në paketën e zgjidhjeve të opozitës për të nxjerrë të rinjtë dhe vendin nga depresioni përfshihet edhe anulimi i ligjit “Për arsimin e lartë” dhe punëzënia e të rinjve.

I ftuar nga Forumi  Rinor Demokrat i Durrësit, Basha tha se u diskutua mbi situatën, problemet e të rinjve dhe përgatitjet e këtij forumi për protestën mbarëkombëtare të 18 shkurtit.  “Durrësi i gëzimit dhe verës me të cilin shoqërojmë kujtimet tona sot është një qytet i depresuar psiqikisht dhe ekonomikisht ku shpresa për të nesërmen është vrarë nga një kastë e korruptuar që për interesat e veta ka braktisur interesat e durrsakëve. Sot i shërbehet vetëm xhepave të Vangjush Dakos dhe Edi Ramës dhe bandës që i solli në pushtet. “

Edukim ndryshe, investime në arsim, praktikë të paguar nga shteti dhe mjaft premtime të tjera për politika sociale në shërbim të qytetarëve u deklaruan si zgjidhje që PD do të ofrojë me të marrë pushtetin. “Sot duam të japim një mesazh për të gjithë të rinjtë dhe qytetarinë durrsake, një mesazh jo përmes retorikës boshe dhe gënjeshtrave po me zgjidhje konkrete duke nisur nga anulimi i ligjit për arsimin e lartë, investime në Universitetin dhe sistemin arsimor të Durrësit, stazhe 1-vjeçare me pagesë nga buxheti i shtetit për të diplomuarit që të aftësohen e bëhen pjesë e tregut të punës, me taksa të ulëta, pensione… PD është e gatshme të marrë peshën për të larguar Durrësin dhe durrsakët nga buza e greminës ku e ka çuar Rilindja e mashtrimeve, e 300 mijë vendeve pune, shëndetësisë  falas. “

Duke u ndalur në rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Basha shprehu bindjen se vetëm përmes tyre shqiptarët do të marrin fatet e tyre në dorë dhe bëjnë ndryshimin.  “Zgjedhja të lira e të ndershme është apeli me të cilin shqiptarët bashkohen më  18 shkurt. Askush nuk duhet të largohet nga Shqipëria dhe Durrësi, pasi me zgjidhje të lira e të ndershme do të votojnë ndryshimin. Nuk do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me banda e kriminelë, as me politikanë të korruptuar. Më 18 shkurt së bashku për ndryshimin pasi Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu. Ata ndërtojnë vela 6 milion dollarëshe dhe 3 milion i fusin në xhep. Ata marrin koncensione qindra miliona dollarëshe, ndërsa rinia qëndron rrugëve. Rinia durrsake është në këmbë.”

Në fund të fjalës së tij, Basha premtoi se me votën për opozitën, pas zgjedhjeve, shqiptarët do të kenë një qeverisje dhe një kryeministër të qytetarëve.