Aderimet politike gjatë 2016-s

31.12.2016 10:34:47

Gjatë vitit 2016 pati zhvillime interesante në skenën politike në vendin tonë. Koalicioni qeverisës (PDK – LDK) në fillim të vitit që po e lëmë pas u përball me një opozitë të bashkuar, me: Lëvizjen Vetëvendosje!, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën për Kosovën.

Këto tri parti politike i kundërshtonin dy marrëveshjet e nënshkruara në gusht të 2015-s, atë të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Këto dy marrëveshje sollën edhe përplasje brenda partive politike, rreth mënyrës se si kundërshtoheshin ato dhe ambicieve politike për poste që mund të kishin individë të caktuar.
Opozita, e cila vetëquhej e bashkuar, nisi të “prishet” nga brenda. “Bajraktarizmi”, se kush do të organizojë protesta, bëri që tri partitë e opozitës t’i ndajnë rrugët politike. AAK-ja e përkrahur edhe nga Nisma, thirri protestë më 26 mars, për të cilën nuk u pajtua Lëvizja Vetëvendosje! Kjo protestë u anulua për shkak të pakënaqësive në mes të tri partive opozitare. Pas kësaj filluan diskutimet ndërmjet të tri partive opozitare për një listë të përbashkët për zgjedhjet nacionale kurdo që ato të mbaheshin. Edhe kjo përpjekje e opozitës dështoi, pasi këto parti nuk gjenin gjuhë të përbashkët rreth kandidatit për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje! e donte kandidatin për kryeministër nga radhët e veta, por edhe AAK-ja dhe Nisma e dëshironin kandidatin e përhershëm për kryeministër, Ramush Haradinajn. Në këtë pikë, partitë opozitare i ndan rrugët, e pastaj nisi kalimi i individëve nga një parti tek tjetra, por që më 18 prill u zyrtarizua edhe koalicioni parazgjedhor ndërmjet AAK-së dhe Nismës.
Donika Kadaj-Bujupi, e cila për shumë vite ishte pjesë e AAK-së, një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga kjo parti, që për shumëkënd qe e befasishme. Ajo tha se po e lë AAK-në për shkak të luhatjes në marrjen e vendimeve të njëanshme. Në Lëvizjen Vetëvendosje! kaluan edhe ish-anëtarët e Kryesisë së Nismës, Xhevat Bislimi dhe Bajram Ajeti. Përveç Kadaj-Bujupit dhe anëtarëve të tjerë të Nismës, në Lëvizjen Vetëvendosje! shkoi edhe sociologu, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, Dukagjin Gorani. Derisa Lëvizja Vetëvendosje! po i godiste partitë e tjera duke u marrë anëtarë, asaj i iku edhe deputetit Ilir Deda, i cili u bë bashkë me Mimoza Kusari-Lilën për ta formuar subjektin e ri politik, Alternativën e Re.
Kurse edhe të pakënaqurit e dikurshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!, të “Fraksion Plus”: Ajnishahe Halimi, Arben Gecaj dhe Fatos Aliu, iu bashkuan Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kësaj të fundit iu bashkua edhe profesori universitar Ibrahim Gashi, i cili gjatë karrierës së tij politike ishte pjesë e AKR-së. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u forcua në 2016-n me biznesmenin Ramiz Kelmendi, i cili vepronte si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës. LDK-ja Kelmendit ia dha postin e zëvendëskryeministrit, dëshirë kjo që nuk ia plotësoi PDK-ja e Kadri Veselit.