Aeroplani u përplas gjatë aterrimit dhe rrëshqiti nëpër pistën e ngrirë, afro 100 udhëtarë u detyruan të dalin prej dyerve emergjente

09.02.2020 15:12:47

Gjatë aterrimit në aeroportin Usink në Komi të Rusisë, një aeroplan është përplasur dhe ka rrëshqitur nëpër pistën e ngrirë për disa metra.

Nga frika se mund të eksplodojë dhe të digjej, janë hapur dyert emergjente, prej nga kanë dalë me shpejtësi afro 100 udhëtarë dhe stafi që shërbenin në bord, transmeton Telegrafi.

Si pasojë e një dëmtimi të brendshëm, ky Boeing 737 ka zbritur fillimisht me pjesën e pasme dhe më pas është përplasur.

Njësitet mbrojtëse të aeroportit, i kanë dalë në ndihmë 94 personave që dolën prej aeroplanit. Derisa të gjithë kanë shpëtuar të pa lënduar, një grua është kontrolluar pasi ka pasur marramendje.

Shkaqet kryesore të aksidentit nuk janë bërë të ditura, por aterrimi me pjesën e pasme dhe temperatura minus 20 gradë Celsius, konsiderohet të jenë shkaktarët më të rëndësishëm.