Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, do të gjykohet për aferën korruptive nga ishkolegët e saj Artan Zeneli, Evelina Qirjako, Shkëlzen Selimi, Ardian Dvorani dhe Medi Biçi.
Andrea dhe bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, i cili është në kërkim nga drejtësia, akuzohen se kanë marrë 50 mijë euro për të favorizuar në një çështje pronësie me sipërfaqe prej 40 hektarësh në Sarandë.
Në dosjen e organit të akuzës thuhet Andrea do të përballet në gjykatë me veprën penale të “korrupsionit”, ndërsa bashkëshorti i saj do të gjykohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, i dyshuari Petraq Dashi ka ndërmjetësuar me bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea në lidhje me çështjen në gjykim, ku ishin palë trashëgimtarët Çabiri dhe Lino. Dyshohet se ai ka rënë dakord për pagesën e një shumë prej 50 mijë euro për të marrë një vendim në favor të tyre.