Grupe të refugjatëve që hyjnë nga Greqia në Shqipëri kanë nisur të kërkojnë azil pranë autoriteteve shqiptare. Sipas burimeve policore shqiptare, 21 refugjatë afganë që u bllokuan në afërsi të pikës kufitare të Kakavijës, në kufi me Greqinë, pak ditë më parë i janë drejtuar një strehimoreje për refugjatët në Tiranë pas kërkesës për azil.
Sipas vlerësimeve policore refugjatët kryesisht nga Siria dhe Afganistani, i përdorin këto taktika në Shqipëri, pasi nëse nuk kërkojnë formalisht azil rikthehen menjëherë në Greqi, vendi prej nga ku hynë në territorin shqiptar, raporton “Zëri i Amerikës”, përcjellë Klan Kosova.
Në shtator të vitit të shkuar 21 refugjatë sirianë u larguan nga një qender në periferi të të Tiranës, ndërsa ishin në pritje të kryejes së praktikave për azil në Shqipëri. Pak ditë më vonë, policia shqiptare bllokoi një pjesë të tyre tek udhëtonin për në Kosovë. Policia arrestoi katër shqiptarë të cilët dyshohet se po i ndihmonin ata të udhëtonin drejt vendit fqinj në këmbim të pagesave financiare.