Austria po e ndihmon Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL

13.01.2017 19:08:50

Ministri i brendshëm Skender Hyseni, është takuar me homologun e tij austriak Wolfgang Sobotka në Prishtinë të Premten, nga i cili ka marrë përkrahje të plotë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Me ministrin Sobotka kemi pasur shumë takime, mirëpo ky është takimi ynë i parë në Prishtinë. Austria e ka ndihmuar shumë Policinë e Kosovës me programe të ndryshme, MPB-në, Departamentin për Shtetësi Azil dhe Migracion të MPB-së dhe ky bashkëpunim ka dhënë rezultatet e veta. Për dallim nga viti 2015, kur ne kishim mbi 2600 azil kërkues nga Kosova në Austri, në vitin 2016 ky numër është mbi 11 herë më i vogël”, ka thënë ministri Hyseni pas këtij takimi.

Hyseni po ashtu ka thënë se ka pajtim të plotë me ministrin Sobotkta në luftimin e ekstremizmit, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore.

Kurse, Sobotka nga ana e tij, ka thënë se Bashkëpunimi me Kosovën në aspektin policor po funksionon shkëlqyeshëm.

Ai po ashtu ka theksuar se është shumë e rëndësishme që në këtë aspekt të bëhet shkëmbimi i të dhënave, në mënyrë që bashkërisht të luftojmë krimin e organizuar si dy shtete.