Izet ABDYLI
I krijuar menjëherë pas lufte nga UNMIK -u si institucion i përkohshëm me qëllim privatizimi dhe rivitalizimi të ekonomisë së Kosovës, në fakt mori krejt kahje tjetër. Qindra objekte të gatshme ekonomike e mijëra hektarë tokë pune, jo që nuk u aktivizuan por përkundrazi u shkatrruan apo ju ndërru destinimi. Edhe ish-punëtorët e këtyre ndermarrjeve u mashtruan me kompenzimin e 20 përqindëshit të cilin nuk e morën kurrë në tërësi e të mos flasim për angazhimin e tyre punë. Shumicës së objekteve iu ndërru destinimi, edhe toka e blerë bujqësore me çmime simbolike u shëndërrua në tokë ndërtimore duke dhjetfishuar çmimin e blerjes. Fundja nuk është prit më shumë, ngase shumica e përfituesve nuk ishin firma të dëshmuara të biznesit, por profiterë të çastit që kishin mbështetjen e të ,, fortëve” (pushtetit). Edhe në krye të Bordit të Agjencionit viheshin njerëz të ,,fort” të politikës të cilët krijuan pasuri marramendëse jo vetëm për vete por edhe padronët e tyre. Agjencioni i privatizimit u shqua për paga të mëdha e meditje marramendëse të punonjësve dhe Bordit drejtues të Agjencionit. Madje edhe përfaqësuesi i Sindikatës harroi kënd perfaqësonte dhe u bë me ,,ujkun”, andaj edhe qafa filloi t’i trashej si kodosh. Sa e sa herë u trumbetua se ky agjencion ka mision të përkohshëm, madje edhe kur kaloi në kuadër të institucioneve të Kosovës, por si duket misioni i tyre është i pafund. Ai tashmë është kthyer në jatakë të profiterëve të cilët janë në garë kush po zhvatë më shumë. Meqë qeveria është vetë në të, i ka fut veshët në lesh, ndërsa punëtorët e shkretë ende i mbanë shpresa që nga 20 përqindëshi tu rrjedhë ndonjë lekë. Çka të bëjnë të gjorët, thonë: shpresa e fundit vdesë!? Populli thotë: ,,kungulli nuk shkon mbi ujë gjithmonë”, sadoqë profiterët po lulëzojnë e ekonomia po vdesë, na mbetet të shpresojmë edhe këtë vjet!?
2 janar 2018






































