Ahmet Zogu i kërkoi Italisë 2 milionë lireta, për të rimarrë pushtetin

20.02.2017 22:38:53

 Kujtimet e kryediplomatit italian Aleksandër Lessona

Historia ka folur shumë pak e shpesh me kontradita mbi prillin e vitit 1939-të, ku ushtria italiane zbarkoi në Shqipëri. Mjaft historianë u shndërruan në lektorë të indoktrinuar. Është spekuluar, veçanërisht , për traktatin e fshehtë italo-shqiptar të 1926-s, të cilin Enver Hoxha dhe historianët e tij e kishin shpallur si një akt tradhtie. Tani traktati është zbardhur plotësisht dhe zërat më të autoritetshëm për këtë traktat janë diplomati Aleksandër Lesona, – në radhë të parë – si edhe mëkëmbësi i Viktor Emanuelit III, Françesko Jakomoni.

I pari ka përshkruar hollësisht, hap pas hapi, peripecitë për përpilimin e këtij dokumenti historik, maturinë e presidentit të Republikës për ta bërë sa më angazhues nga ana italiane për të prerë përfundimisht synimet jugosllave, telashet që iu deshën të përballoheshin nga kryediplomati Lesona, kundërveprimi i Musolinit për këmbënguljen nga ana shqiptare se presidenti nuk do të firmonte nëse nuk do të shtohej edhe klauzola se Italia do të hynte në luftë përkrah shqiptarëve, nëse Shqipëria do të pësonte një akt agresioni nga Jugosllavia, gjë që e bëri Musolinin të lëshonte, së fundi, edhe në këtë pikë, me kushtin që traktati të mbahej i fshehur.

Në kujtimet e tij Aleksandër Lessona, hedh më shumë dritë mbi raportet Italo-Shqiptare pas vitit 1924. Diplomati i lartë italiane do ti mbante me kujdes raportet mbi Shqipërinë. “Në gusht të vitit 1924 Xhilberto Punji më foli për një princ shqiptar, Ahmet Zogun, që kishte dërguar sekretarin e tij në Itali, se mos ndihmohej nga Musolini, për një lëvizje të armatosur, që të ndërmerrte në shtatorin që vinte, me anë të së cilës do të rivendosej në krye të Shqipërisë. Isha deputet atëherë dhe ndërmjetësi, Jak Koçi, kërkonte të merrja takim me Duçen, për këtë kërkesë.

-A e njeh vetë Zogun?,- më pyeti.

-Jo ,- iu përgjigja, – por më kujtohet se, kur ishte ministër i Brendshëm, qé ndër më të vendosurit për një veprim gjer në fund kundër italianëve, kur ishim të shtrënguar të lëshonim Vlorën. -Që Italia ta ndihmojë të rivendosë pushtetin në Shqipëri, duke e subvencionuar me 2 milionë lireta”, shkruan Lesson. Sipas tij këto para i duheshin për të blerë armë për ushtrinë e vogël kryengritëse, nja dymijë veta. “Zogu, nga ana e tij, merr përsipër, sapo të vërë në dorë pushtetin, që ta mbështesë Italinë me politikën e tij të jashtme e që vendi ynë të mundet, në këtë mënyrë, të sigurojë zotërimin e qetë dhe përfundimtar të Detit Adriatik.

Ai që na dëboi nga Vlora e di për bukuri vlerën e paçmueshme që ka për ne mbështetja e sigurt për të bllokuar ngushticën e Otrantos. Sekretari i Zogut më është lutur që t’ju bëj të ditur se ndihma ka ndërmend t’i japë Zogut edhe Qeveria jugosllave. Dhe Anglia e sheh me sy të mirë orvatjen e Zogut për qëllimin e tij; por ky e ka të qartë se Shqipëria mund të zhvillohet vetëm duke u mbështetur ngushtësisht tek Italia. Anglisë nuk ia ka besën: “ajo është mësuar prej shekujsh që të marrë, pa dhënë asgjë”,- ka thënë Koçi,- “dhe ajo nuk mund të ndryshojë, natyrisht, për ndonjë farë simpatie të veçantë ndaj Zogut”.

Sa për Jugosllavinë, ky nuk dëshiron të ketë asnjë detyrim mirënjohjeje ndaj saj, duke qenë i vendosur që të mbajë gjallë çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Italia dhe Shqipëria, sipas mendimit të Zogut, të dyja së bashku, kanë përse t’u ruhen Jugosllavisë dhe Anglisë; ja përse interesi ynë është i përbashkët”, shkruan Lessona. Musolini do të mbetej i befasuar nga ky propozim. Nuk kishte dëgjuar ndonjëherë të flitej për Zogun dhe, ndonëse tregoi interesim për çka po i thoshte, mbeti në mëdyshje, disi mosbesues.” Kishte të drejtë. Veçse, meqë shifra e kërkuar dukej tepër e ulët dhe, duke marrë parasysh përfundimet që mund të arrinim, ngulmova që kërkesa të mos shpërfillej.

Nëse Zogu do të ndihmohej nga Jugosllavia, çështja e Adriatikut do të rëndohej për ne. Vërejta , gjithashtu, se politika e jashtme ka edhe anën e saj të provave të rrezikshme.Musolini mbeti disa minuta ngurrues, pastaj m’u përgjigj: -I thoni Zogut se jam i vendosur të marr në shqyrtim kërkesat e tij, me kusht që ai të m’i paraqesë këto kërkesa në një letër ngushtësisht vetjake; për fshehtësinë e letrës jap sigurimet më të plota se do të jetë varr i mbyllur.

I vura në dukje bashkëbiseduesit tim se do të ishte e pamundur të lëshohej një dokument kaq shpërthyes për këtë çështje.-Zogu, si të gjithë lindorët, është tepër mosbesues. Ai luan një letër që rrezikon jetën e vet. Janë të mundshme bisedime me jugosllavët, të cilët i kanë pas dhënë njëfarë ndihme. Do të ishte vërtet i leshtë nëse lëshonte një shkrim të tillë, aq komprometues për të (duke u dhënë jugosllavëve një armë në dorë,-p.). Ai mund të mendojë se kjo mund të përdorej në dobinë tonë pranë Jugosllavisë, për ta gozhduar”, shkruan Lessona.

Më poshtë po botojmë kujtimet e tij mbi mbërritjen në Shqipëri:

Mbërrita në Shqipëri andej nga mesi i shkurtit. Përshtypja që pata për këtë vend ishte mjeruese. Disa shtëpiza në Durrës; një rrugë thuajse e papërdorshme për të vajtur në Tiranë. Por edhe vetë Tirana, kryeqyteti i Republikës, të jepte një pamje që të bënte përshtypje për varfërinë, për primitivitetin. Ndriçimi publik ishte i paqenë. Ashtu edhe elektriciteti, apo gazi. Rrugët me zhavorr, ishin po ato që u meremetuan mbi gjurmët e lashta romake dhe në kushtet e përçueshmërisë mjaft të mundimshme. Pjesa me gropa dhe shkëputjet rrugore ishin më të shpeshta se ato që mund të quheshin të mundshme për të ecur pa ndalesa; nuk kishte ura dhe detyroheshim të kalonim në vah përrenj e lumenj. Ujët e pijshëm mezi merrej, me pagesë, nëpër qytete nga shitës bredhës, që e përçonin duke e mbartur me kafshë. Me një fjalë: një vend parak i çorganizuar sa s’ka ku të vejë. Kam parë me sytë e mi të theren kafshët nëpër rrugët e Tiranës. Hoteli i kryeqytetit ishte kaq tmerrësisht i pisët, sa nuk mundja dot të merrja guximin të zhvishesha dhe rashë me rroba mbi shtrat, duke e mposhtur neverinë që m’u shpif nga cikja e rrobave të mia me mbulesën e krevatit.

Ndërkaq Zogu shpallet President i Republikës

Veçse Musolini qëndroi i patundur në pikëpamjen e tij (të atij dokumenti me shkrim- p.) dhe unë s’mund të bëja gjë tjetër veçse t’i jepja sekretarit të Zogut, përgjigjen mohuese. Zoti Koçi mbeti tepër i zhgënjyer. Mendoi se nuk e kisha mbrojtur si duhet çështjen e parashtruar dhe ngulte këmbë që çështjen ta paraqiste ai vetë te Duçja.
-A e keni parasysh, – më tha, – gjendjen plot rreziqe në të cilën jeton Zogu? Dhe a nuk mendoni se ky, mbase, mund të jetë rasti i fundit për të sistemuar përfundimisht gjendjen e Adriatikut?

Jak Koçi ishte një mik i sinqertë i Italisë. I lindur në Shkodër, i fesë së krishterë, kishte dhënë prova, gjatë Luftës I Botërore, të një mirëkuptimi dhe përkushtimi ndaj Italisë. Me gjithë dëshirë do të kisha pranuar që ta shoqëroja në Romë te kryetari i qeverisë, po të mos isha i bindur se ky hap, tashmë, ishte i pamundur.
Koçi u nis për në Vjenë, i dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Atje Zogu e priste tërë ankth, duke i pasë prerë bisedat me qeverinë jugosllave meqë shpresonte në afrimin me Italinë. Ishim në gusht, siç e kam thënë. Nuk mora vesh asgjë për Shqipërinë gjer në vigjilje të Krishtlindjeve, ditë në të cilën Presidenti Zogu fitoi me anë të armëve pushtetin në

Shqipëri, duke u shpallur President i Republikës.
Kur e lexova këtë lajm, édhe u gëzova, édhe u shqetësova njëherësh. Më shkoi ndërmend Kryetari i Qeverisë sime, i cili me siguri do të kujtohej për bisedën e dikurshme dhe do ta ndjente me keqardhje që nuk e pranoi këmbënguljen time. E quaja tanimë të humbur rastin për të lidhur marrëdhënie të frytshme me Shqipërinë kur, pas disa ditësh, më njoftuan se zoti Koçi kishte ardhur në Romë dhe kërkonte me ngutje një bisedë më mua. Shpresa u përtërit në shpirtin tim. I çova fjalë Koçit se do të shihesha me të me të gjithë dëshirën time.

Mendimi që të takohesha vetë me Zogun

Kur hyri në studion time, ai më vështroi me një buzëqeshje ironike dhe i kënaqur.
-Paskeni qenë mjaft mosbesues, – më tha. – A nuk kisha të drejtë kur ju thashë se nuk ishim as gënjeshtarë, as mburravecë? Por t’i lëmë të kaluarat. Zogu më dërgon pranë jush për t’ju thënë se bindjet e tij nuk kanë ndryshuar dhe se është ende i vendosur për të lidhur marrëdhënie të ngushta miqësore me Italinë. Më ngarkoi që të rinisim marrëveshjet e ndërprera.
Qeshë vërtet i kënaqur për ato që më thoshte Koçi. Por iu përgjigja se më dukej e dobishme që, para se të fliste me Kyetarin e qeverisë, të bisedoja njëherë vetë me Zogun. Kështu do të mundja t’ia bëja të njohur Musolinit më gjerësisht idetë dhe mendimet e

Presidentit të Republikës shqiptare.

Por Koçi parapëlqente, përkundrazi, që ai të shoqërohej më parë te Musolini, që t’i shprehte mendimin e Zogut, me shpresën që të kthehej në Shqipëri me ndonjë premtim konkret. Veçse mua nuk më dukej me vend që Kryetari ynë të vihej në takim me shqiptarët, para se të bindesha vetë për gjendjen shpirtërore të Zogut. Dhe do të ishte e rëndësishme nëse qëndrimi i tij politik ndaj nesh do të ishte i tillë sa të ishim të sigurt në zhvillimin e një bashkëpunimi të frytshëm. Para së gjithash doja të bindesha në vend, sesa e qëndrueshme ishte qeveria e Zogut. Kisha një mik fashist në Shqipëri, Karlo Punjin, që ishte në dijeni të plotë të gjendjes për shkak të miqësisë së ngushtë me Zogun dhe mendoja se nga ai do të kisha të dhëna të sigurta, madje edhe të fshehta. Kështu mendova të nisesha për në Tiranë, sa më shpejt. Koçi erdhi me mua. Ramë në ujdi që do të paraqitesha si një inxhinier që dëshiroja të merrja në koncesion shfrytëzimin e mineralit të bakrit, që dukej se e kishte vendndodhjen në afërsitë e kufirit me Jugosllavinë.

Panoramë e një vendi në pikë të hallit

Mbërrita në Shqipëri andej nga mesi i shkurtit. Përshtypja që pata për këtë vend ishte mjeruese. Disa shtëpiza në Durrës; një rrugë thuajse e papërdorshme për të vajtur në Tiranë; por edhe vetë Tirana, kryeqyteti i Republikës, të jepte një pamje që të bënte përshtypje për varfërinë, për primitivitetin. Ndriçimi publik ishte i paqenë. Ashtu edhe elektriciteti, apo gazi. Rrugët me zhavorr, ishin po ato që u meremetuan mbi gjurmët e lashta romake dhe në kushtet e përçueshmërisë mjaft të mundimshme. Pjesa me gropa dhe shkëputjet rrugore ishin më të shpeshta se ato që mund të quheshin të mundshme për të ecur pa ndalesa; nuk kishte ura dhe detyroheshim të kalonim në vah përrenj e lumenj. Ujët e pijshëm mezi merrej, me pagesë, nëpër qytete nga shitës bredhës, që e përçonin duke e mbartur me kafshë. Me një fjalë: një vend parak (primitiv), i çorganizuar sa s’ka ku të vejë. Kam parë me sytë e mi të therren kafshët nëpër rrugët e Tiranës. Hoteli i kryeqytetit ishte kaq tmerrësisht i pisët, sa nuk mundja dot të merrja guximin të zhvishesha dhe rashë me rrobe mbi shtrat, duke e mposhtur neverinë që m’u shpif nga cikja e rrobeve të mia me mbulesën e krevatit.

* * *

Zogu banonte në një shtëpi të thjeshtë që kishte një mesak, domethënë një kat të ulët ndërmjet të parit dhe të dytit. Dyshemeja përbëhej nga dërrasa të pagdhendura. Muret kishin një sherbet gëlqereje. Mobilimi: fare i rëndomtë dhe pa pikë lezeti. Ndonjë qilim, aty-këtu. Pasuria e vetme qëndronte në numrin e rojave të armatosur, të përhapur në largësi, duke filluar nga njëqind metra, para se të mbërrije në këtë banesë. T’i afroheshe kësaj shtëpize, pa qenë i shoqëruar nga një person që të ishte i njohur, ishte e rrezikshme. Rojat kishin urdhër që të mernin në pyetje çdo të panjohur, që do të guxonte të afrohej. Unë iu afrova, në të vërtetë, kësaj selie presidenciale. Koçi më këshilloi t’i qëndroja fare pranë për të shmangur ndonjë të papritur.
Zogu më priti në një një dhomë të vogël të thjeshtë, pranë sallonit. Të folurit me të vështirësohej, sepse nuk njihte ndonjë gjuhë europiane dhe as unë nuk e njihja turqishten, gjuha e vetme të cilën ai e fliste, përveç shqipes .

Frymëzimi kombëtar, element i bashkimit të popullit

-Italia,- më tha ai, – për meritë të Musolinit, është bërë një komb i madh dhe do të vazhdojë të përparojë vazhdimisht. Ajo, natyrisht, dëshiron zotërimin tërësor të Adriatikut, gjë e cila iu mohua me traktatin e Versajës. Shqipëria mund ta ndihmojë Italinë në këtë synim, për shkak të bregut të saj gjatësor Adriatik. Nga ana tjetër, vendi ynë është i brejtur nga grindje të brendshme dhe është tepër i varfër për t’u mbrojtur nga kërcënime të jashtme. Regjimi im duhet të jetë fatalisht një regjim autoritar dhe nacionalist, sepse frymëzimi kombëtar përtej kufijve tanë, por pranë tyre, (në Greqi dhe në Jugosllavi), është zëri i madh i vetëm i cili, duke i folur zemrës së popullit, mund ta mbajë atë të bashkuar. Italia sigurisht që e kupton këtë synim frymëzues, sepse edhe ajo vetë ka luftuar për irredentizmin e bijve të saj. Pra, kemi nevojë të ndihmohemi nga Italia. Mikesha dhe aleatja e saj, Shqipëria, do të ishte si një gjemb në ijë të Jugosllavisë; prandaj fuqizimi i Shqipërisë do të ishte si një fuqizim i politikës italiane. Për të arritur këto qëllime, Shqipëria është e gatshme të pranonte bashkëpunimin italian në çështjet ekonomike shqiptare dhe të shqyrtonte të gjitha kërkesat që do të kishte Musolini që të përforcojmë miqësinë tonë.

Iu përgjigja se ngritja e interesave ekonomike do të ishte e nevojshme për të përligjur pranë kombeve të tjera mbështetjen italiane në këtë ndërhyrje.
-Ju them menjëherë, për të shmangur çdo keqkuptim, se ne nuk kemi ndërmend për krijimin e një protektorati, – thashë solemnisht.
-Vetëm se duam një miqësi pa nënkuptime dhe të sinqertë, vazhdova. – Prandaj ne mendojmë për marrëdhënie të menjëhershme ekonomike dhe një aleancë ushtarake të fshehtë, për të mbajtur në këmbë dhe për të përballuar peshën e organizimit të dy divizioneve shqiptare.

Shtova se këto ide ishin të miat, fare vetjake dhe duhen quajtur si shkëmbim mendimesh për probleme interesash të ndërsjella. Dhe premtova se, në qoftë se ai ishte i njëmendjeje në parim, do të ofrohesha me dëshirë që të bëhesha mbështetës i këtyre ideve pranë Musolinit.

Zogu u përgjigj se ishte plotësisht dakord me mua, por më paralajmëroi menjëherë se koncesionet që do t’i jepeshin Italisë do të duhej të bëheshin me maturi të jashtëzakonshme. Sepse, nëse Italia do të ngurronte të na ndihmonte, ai do të ndodhej në gjendje tepër të vështirë, pas bisedave që kishte bërë më parë me Anglinë. Ky paralajmërim, duke marrë parasysh mendësinë e tij orientale, më vuri në dyshim. Dhe atëherë i thashë shkoqur se nuk do të bisedoja me Musolinin nëse ai nuk do të më siguronte për koncesionet në fushën ekonomike ndaj Italisë dhe mundësinë e një marrëveshjeje të fshehtë.

Ai më vështroi duke qeshur dhe më tha:
-Jemi në një mendje në këto dy pika. Dhe s’mund të jetë ndryshe, sepse ky është edhe interesi ynë. Shpresoj se jeni i bindur në sinqeritetin tim.
Por ky sinqeritet i tij, që ta them hapur, nuk më jepte siguri.

Ishte njëri ndër përgjegjësit më të spikatur të politikës italiane në kohën kur Ahmed Zogu ishte President i Republikës.

Në vitet 1929-1936 ishte nënsekretar për kolonitë italiane. Drejtoi dikasterin në vitet 1936-’37 kur, pas shpalljes së Perandorisë, u emërua ministër i Afrikës italiane.
Ka pasqyruar arsyet e natyrës politike dhe ekonomike për kolonizimin demografik të Libisë, që u realizua nga Kuixhi Raca (Razza) më 1932 dhe veçanërisht nga Italo Balbo, në vitin 1938. Në vitin 1936 ndërtoi një forcë ushtarake të re, por jo të rregullt, “Trupin e policisë koloniale”, i cili u quajt më vonë (1939) “Trupi i policisë të Afrikës italiane”, që njihej zakonisht nën fillestaret PAI (Policia e Afrikës italiane). Ka pasur detyra në dikastere që kishin të bënin me çështjen e Sigurisë Publike.

Parregullsia e kësaj force qëndron në atë se ishte nën varësinë e një Ministrie civile, siç ishte ajo e Afrikës Italiane. Zyrtar i shquar i burokracisë së dikastereve në vitet më të rëndësishme gjatë luftës në Etiopi, pati një rol të dorës së parë në ndeshjet e atyre viteve ndërmjet politikanëve dhe ushtarakëve, në fillim për veprimet e luftës dhe, më pas, për “paqësimin” e atyre vendeve. Udhëzimet që jepte e paraqesin si një mbrojtës të përpiktë të vendimeve që përftoheshin në qendër. Me Musolinin ishte i njëmendjeje për projektet në përgjithësi.
Pas pushtimit të Etiopisë, Lesona ishte kundërshtar i vendosur i mundësisë për një administratë të kolonive, me një qeverisje si ajo e indirect rule (sundimit të tërthortë) britanik, e kërkuar nga mareshali Badolio (Badoglio), por edhe në një formë të afërt nga mareshali Gracianini. Duhej të gjendej një formulë për qetësimin e krerëve tradicionalë vendorë, në funksion të një rregulli politik në trojet e pushtuara nga ana e Perandorisë.
Lesona u kritikua veçanërisht për emërimin e dy nga të pesë guvernatorët e emëruar me nismë të tij, pas fitores mbi Etiopinë, Aleksandër Pircio Birolit dhe Vinçenco De Feos.
Këto dyshime të cilat u zmadhuan në raportet e karabinierëvë dhe nga përdorimi i pushtetit nga ana e të akuzuarit, në mënyrë tepër të shpenguar, e bënë Musolini që ta zgjidhte grindjen, duke e lëvizur Aleksandër Lesonën nga detyra si drejtues i dikasterit, më 19 nëntor të vitit 1938.

Nuk u thirr më për një punë tjetër politike. Zuri një vend në Katedrën e Universitetit të Romës, në degën e Historisë politike koloniale ( pastaj në Historinë e institucioneve në vendet afroaziatike). Kjo detyrë, të cilën e mbajti gjer në daljen në pension, iu dha me cilësimin “për merita të jashtëzakonshme”.

A.Bardhyli