Ata, që mallkonin e vrisnin, Tahir Zemës ia kanë besuar edhe vëllezërit për t’ua shpëtuar jetën (Video)

11.02.2017 10:03:28

tahirzemaj

Intervistuan: Sefedin Krasniqi dhe Nazmi Llukaj

PYETJE : A u lajmëruat në përfaqësinë e Kosovës, dhe a u dolën në ndihmë?

Fadil Tolaj : Po. Shkuam dhe iu lajmëruam Zymerit. I treguam se kush ishim dhe nga ishim. Zymeri u tregua shumë i sjellshëm dhe njerëzor me ne. U tregua edhe shumë i gatshëm të na ndihmonte, aq sa kishte mundësi. I treguam se për banim nuk kishim nevojë për ndihmë, sepse kishim të afërm në Shqipëri.

PYETJE : Atë kohë, regjimi i Serbisë kishte shtuar shumë zullumin ndaj shqiptarëve. Shumë të rinj kishin refuzuar të shkonin në shërbimin ushtarak të Serbosllavisë. Veç kësaj, kishte edhe ndonjë që kishte tentuar të formojë edhe grupe të armatosura. A takuat ju dikënd atje?

Fadil Tolaj: Gjatë qëndrimit tonë në Tiranë, veç atyre që ishin në organizim, që në një kuptim i takonim edhe ne, takuam edhe disa të tjerë , që i takonin grupit të Gjakovës, që kisha pasur rastin t’i njoh më herët. Kishte edhe nga Deçani. Disa prej tyre ishin aty edhe më herët, në studime. Ka pasur që kanë ardhur pas nesh, si për shembull Faton Mehmetaj me të fejuarën dhe me një kusheri të tij. Ardhja e Fatonit, sidomos interesimi i tij për të na takuar të gjithëve, edhe sot është i dyshimtë. Neve na thoshte se kishte ikur nga shtëpia, ngase Slloba dhe Vula i kishin kërkuar disa kilogramë tritol.

Ndërsa kusheririt të vet, Xhemajl Berishës, i kishte kërkuar armë se donte ta vriste Vulën. Pajtohem me atë që në intervistën e tij ka thënë Xhemajl Berisha. Dyshimi na u shtua edhe më shumë, kur dihet që Fatoni, nga një anë thoshte se kishte ikur për shkak se po e kërkonte policia serbe, e në anën tjetër, pas një kohe, u kthye në Kosovë. Vazhdoi me vite të tëra të bëjë jetë normale. Dihet që serbët kanë qenë të pamëshirshëm. Gjëra të këtilla nuk kanë lejuar. Të gjithë të përndjekurit e vërtetë e dinë që Kosova për ta ka qenë ëndërr, por gjatë luftës ky na doli edhe zëdhënës i UÇK-së.

PYETJE : A doli i arsyeshëm largimi juaj nga shtëpitë?

Fadil Tolaj: Më 18 janar 1992, kemi qenë në Durrës te Xhaferi. Në mbrëmje radioja lamëroi se në fshatin Pobërxhë një ekspeditë e madhe e policisë serbe kishte bastisur disa shtëpi të familjeve të Tolaj. Lajmet bënin të ditur se nga maltretimet fizike nuk ishin kursyer as fëmijët dhe të moshuarit. Ishin bërë disa arrestime. Meqenëse në atë kohë lidhjet telefonike në Shqipëri funksionin me vështirësi, të nesërmen shkuam në Tiranë. Nga hotel “Tirana” telefomuan në Gjermani, te motra ime. Ajo, duke dashur të na kursejë, na tha se na kishin kërkaur neve dhe asgjë më shumë. Pastaj thirrën Salihun në lokalet e LDK-së në Shtutgart. Pasi i kërkuam, ai na tregoi gjendjen reale. Detajishit na tregoi për demolimet që policia i kishte bërë, maltretimet dhe arrestimet. Na tha se ishte ne kontakt me Kosovën. Dhe se për çdo gjë do të na informonte. Në veçanti, më duket, se u mërzita unë. Kisha frikën se në mungesë timen do të ma merrnin dikënd peng. Për shkak të kushteve të vështira të komunikimit në Shqipëri, aty nuk mund të qëndronim dot.

Meqë unë dhe Sherifi posedonim dokumentet e udhëtimit, të nesërmen fluturuam me aeroplan për Gjermani. Bajrami nuk kishte pasaportë, mbeti në Shqipëri. Për udhëtim, nuk patëm probleme. Gjermania ende nuk kishte aplikuar regjimin e vizave. Zymer Berisha na i rezervoi biletat kthyese. Në këto halle, na u gjet edhe Rexhë Dobrunaj. Pati ardhur nergut nga Gjermania, për të na ndihmuar. Një pjesë e familjes dhe të afërmëve (motra, djemtë e axhës dhe nipat) të mi gjendeshish në Berlin. Unë dhe Sherifi u vendosëm te motra ime. Aty ishte edhe miku im, kolonel Tahir Zemaj.

PYETJE : Si dhëndërr i tij, ju sigurisht atij i keni rrëfyer në detaje për këtë organizim? A kishte njohuri ai për të?

Fadil Tolaj: Me kolonel Zemajn kam biseduar, por ishte edhe vetë në dijeni për këtë organizim.

PYETJE : A kontaktuat nga Berlini me Salihun?

Fadil Tolaj: Po. Pasi pushuam pak, i telefonuam. E lajmëruam që kishim arritur në Berlin. Nga zëri e vërejta që ishte shumë i shqetësuar. Ai e kishte ditur që policia serbe ishte kërcënuar, duke kërkuar vetëdorëzimin tim, ndryshe do të ma merrnin peng gruan a djalin. Unë këtë e kuptova gjatë bisedës me të. Meqenëse, pa arsye, e ndiente një peshë të „fajit“, unë i thashë pa asnjë diplomaci, se një barrë të tillë nuk kishte nevojë t’ia ngarkonte vetes. Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm për aktet tona. Kësaj pune i kemi hyrë me dëshirë dhe ky proces as nuk ka filluar me ne, as nuk do të ndalet deri në realizimin e aspiratave tona dhe të shumë gjeneratave para neve. Pata përshtypjen se Salihu u qetësua sado pak. Pastaj e kërkoi mikun tim, kolenel Tahir Zemën. Biseduan gjatë në telefon.

PYETJE : Kur ke vënë kontakt me familjen në Kosovë?

Fadil Tolaj: Kontakte indirekt, nëpërmes njerëzve që vinin nga Kosova në Gjermani, kemi pasur që ditët e para. Por, një kontakt më të afërt e patëm ditën e dytë të arritjes në Berlin. Djali i axhës, Agimi, na telefonoi. Sapo ma dëgjoi zërin, m’u drejtua: „Mos më pyet nga lajmërohem, por, baca Dil, jemi të gëzuar që keni arritur shëndosh e mirë, sepse situata është shumë e keqe. Policia serbe për 3 – 4 ditë kanë ardhur dhjetë herë në shtëpinë tënde. Kërkojnë të dorëzohesh. Por, mos gabo e kthehesh. Po u ktheve, ke mbaruar. Nga nëna jote, Hajria, po e kërkojnë një automatik. Nëse nuk e dorëzon, po kërcënohen se do ta marrin peng djalin ose gruan tënde“.

U shqetësova tej mase. Agimi më qetësoi pak, kur më tha se jo vetëm ai, por edhe fshati kishin vendosur të mos e lejojnë për së gjalli këtë punë. Pastaj, meqenëse isha në një banesë me mikun tim, kolonel Tahir Zemajn, ai më ngushëllonte, duke më thënë se policia serbe donte të mbillte frikë me presione dhe shanatazhe, por kurrë peng nuk do ta marrë askënd. Nga shqetësimi im, Tahiri e thirri në telefon Salihun, dhe ia shpjegoi situatën. Ranë takord që po ndodhi të merrej dikush peng nga familja, të ktheheshim të gjithë bashkë.

Policët i kërcënoheshin nënës për ta gjetur armën time

PYETJE : A ke pasur armë dhe a u mor peng ndokush?

Fadil Tolaj: E kam pasur një automatik. Nëna ime e dinte se ku ishte ai, por ajo nuk e kishte dorëzuar. Nuk e kishte dorëzuar, edhe kur njëri prej të arrestuarve, para Vulës famëkeq dhe shefit të tij, i kishte thënë nënës Hajrije: „Dorëzoje armën që e ka Fadili“. Tash nuk dua t’ia përmendi emrin atij personi. Megjithatë, nëna, me gjakftoftësi, u kishte thënë policëve:“Bastisni! Po pati nevojë, rrënoni shtëpitë dhe shtallën, por unë nuk di që Fadili ka pasur armë!Bëni çka të doni, por në të ardhmen më lini rehat! ».

Asgjë nuk doli nga presioni dhe shantazhet e policisë serbe, falë nënës dhe këmbëngulësisë së fshatit Pobërxhë. Rol të rëndësishëm me këtë rast ka luajtur ndërmjetësimi i plakut të fshatit, Selim Delisë. Në shitoren time, dhe në praninë e disa banorëve të fshatit, i kishte thënë Vulës : « Nëse tentoni t’ia merrni dikënd peng familjes së Fadilit, dijeni që do të përballeni me tërë fshatin. Shikoj këta dy-treqind burra rreth rrugës. Po ju flas në emër të tyre ». Deri në vdekje, për bashkëfshatarët e mi, në veçanti për Selim Delinë, respektin do ta ruaj.

Nga kjo lloj rezistence, policia serbe largohet me bisht nën këmbë, por me kërcënimin se do të kthehen prapë. Kjo doli e vërtetë. Derisa e kam tërhequr familjen nga Kosova në vitin 1994, kurrë ekspeditat bastisëse të policisë serbe familjes sime nuk iu kanë ndalur.

PYETJE : Në janar të vitit 2004 mbushet një vit nga vrasja e kolonel Tahir Zemajt. Na thoni, nëse dini, kur janë takuar Salih Çekaj dhe ky në Gjermani?

Fadil Tolaj: Veç bisedave telefonike të shpeshta dhe të gjata mes tyre, dy muaj pasi kishim arritur në Berlin, me kërkesën e Salih Çekajt, kemi shkuar në Shtutgart. U nisëm të tretë : Tahiri, Sherifi dhe unë. Rexhë Osaj nga Deçani na çoi me veturën e vet. Këtë gjest e bëri për hatër të Tahirit. Ka pasur një respekt të veçantë për të. Ka qenë njeriu më besnik i Tahir Zemajt. Fatkeqësisht, pas luftës, të dytë i vrau një dorë tradhtare. Qëllimi i kësaj vizite ka qenë bashkërenditja e veprimtarisë politike dhe asaj ushtarake në të ardhmen.

Pastaj, njohja më për s’afërmi e Salihut dhe Tahirit me peripecitë tona. Salihu, për këtë rast, në lokalet e LDK-së në Shtugartd, kishte organizuar edhe një takim me Hafiz Gagicën dhe Ramush Tahirin. Ramushi atëherë ka qenë zëvëndës i kryeministrit Bukoshi, si dhe një lloj ministri (a koordinatori) në resorin e mbrojtjes. Pas dy ditësh qëndrimi në Shtutgart, dhe shumë bisedave, u arrit një marrëveshje që aktivitetet politike, por edhe ushtarake, duhet të intensifikoheshin. U bisedua edhe për rezistencën e Adem Jasharit, që Salihu e njihte mirë.

PYETJE : Po ti, legjendën e qënderesës, Adem Jasharin, a ke pasur rastin ta takosh ndonjëherë?

Fadil Tolaj: Pas një vit qëndrimi në Gjermani, në fund të vitit 1992, jam kthyer në Shqipëri, për t’u takuar me familjen. Në Shqipëri, në Përfaqësinë e Republikës së Kosovës e kam takuar legjendën e rezistencës dhe të luftës Adem Jasharin. Isha shumë kurreshtar ta shoh njeriun që mundi dhe guxoi t’i dalë përballë kuçedrës Serbi, në vitin 1991. Këtë takim ma ka mundësuar Zymer Berisha. Paraparakisht, veç asaj që dija për sulmin që familja Jashari kishte përjetuar në vitin 1991, historinë patriotike të kësaj familjeje ma mësoi Zymeri. Kur u takova me Ademin, isha tepër i lumtur, sepse në atë njeri shihja çlirimtarin. Aty u takova edhe me Jakup Nurën. Ishte bashkë me Ademin. Kam takuar edhe Xhemajl Berishën, i cili kishte gati një vit që jetonte në Shqipëri dhe Ismet Çekajn.

Për të gjithë këta njerëz, Salih Çekaj na kishte folur disa herë. Ismeti, shumë vjet, ka qenë shtylla kryesore në Shqipëri për të gjithë bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët që ishin rreth Salihut dhe më gjerë. Kam takuar edhe shumë të tjerë, që për shkak të represionit që policia serbe ushtronte në Kosovë, ishin detyruar të largoheshin prej atje. Kishte edhe asi që kishin ardhur nga Perëndimi, në cilësinë e komesarëve politikë dhe përhapnin propagandë kundër institucioneve të atëhershme të Kosovës. Neve që ekonomikisht ishim dobësuar shumë, për shkak të rrethanave të krijuara, na paraqiteshin sikur “Bossa”, që mund të hargjonin edhe nga 200.00 DM në ditë. Pasi jam vendosur në Zvicër, kam mësuar se të gjithë ata kishin qenë “Bosssa mafiozë”, të cilët i kishte përzënë Zvicra, për shkak të aktiviteteve të tyre kontrabanduese. Tash as që ia vlen të merremi me ta.

PYETJE : Megjitahtë, në atë kohë, në Shqipëri fillon një antikosovarizëm i shfrenuar prej këtyre “bossave mafiozë”. Ndoshta lexuesit kanë dëshirë të dinë më shumë për ta?

Fadil Tolaj : Normal, këta “bossa mafiozë” kanë emra dhe mbiemra, por “bossi” i tyre ka qenë Xhavit Haliti. Thoshin se janë ushtarë të Xhavitit, a siç i thoshin ata, njëfar « Zekës ». Në janar të vitit 1993, e kam parë edhe “kryebosin” e tyre, i cili erdhi në Shqipëri. Ishte i veshur me një pallto të gjatë e të shtrejtë. Në dorë mbante një çantë diplomatike. U takuam në një lokal, para hotel Dajtit. Kam qenë me Xhemajl Berishën dhe disa të tjerë, kur ky Zeka filloi të shajë e shkretojë mbi institucionet e Kosovës. Nisi të flasë edhe kundër Salih Çekajt dhe grupit tonë. Nuk munda pa reaguar. “A e njeh mirë ti Sali Çekajn ? » – i thashë ? ». “Nuk e njoh personalisht, por kam dëgjuar për te”. Ia preva shkurt, se nuk guxonte të fliste për Salih Çekajn. Kur ia kam lexuar intervistat e tij në një gazetë ditore të Kosovës, dhe rrëfimet për takimet që ka pasur me Adem Jasharin, jam trishtuar. Krejt gënjeshtra kanë qenë. „Zekën“ s’ka njeri në Shqipëri, që e ka parë duke pirë një kafe me Adem Jasharin.

PYETJE : Ky ka deklaruar që është edhe themelues i UÇK-së.

Fadil Tolaj : Gjuha është prej tulit, por themelues të bërthamave të para të një force mbrojtëse, por edhe çlirimtare, kanë qenë Salih Çekaj, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. Në Rafshin e Dukagjinit, i pari ka vepruar Salih Çekaj, në Drenicë Adem Jashari, në Llap Zahir Pajaziti. Nëse „Zeka“ dhe kompania tij kanë formuar ndonjë ushtri tjetër, atëherë po del se kanë punuar kundër Adem Jasharit, dhe e kanë minuar atë. Edhe ashtu dihet se UÇK-ja nuk kishte komandim vertikal. Ndërsa ata që formuan ushtri të rregullt, me komandim ushtarak të mirëfilltë, janë strategët: kolonel Ahmet Krasniqi dhe kolonel Tahir Zemaj, pastaj veterani i luftës Salih Çekaj dhe strategu Agim Ramadani e shumë të tjerë, që u flijuan për Kosovë. Ata ia arritën që njësitet e UÇK-së, të organizuara dobët nga gjeneralët që lindën si kërpurdhat pas shiut, t’i organizojnë në njësi operative. Kështu duke fituar në beteja, si atë të Loxhës dhe Koshares, i shkaktojnë humbje të mëdha armikut në njerëz dhe teknikë.

PYETJE : Si ndodhi që ti u vendose në Zvicër e jo në Gjermani ?

Fadil Tolaj: Pas qëndrimit në Shqipëri, u ktheva në Gjermani nën përcjelljen e Salih Çekut dhe të Demë Tolajt kam hyrë në Zvicër. Në kufi na kanë pritur Ismet Avdullahu nga Llapi, i cili atëherë vepronte me Salih Çekajn. Me të ka qenë Saim Tahiraj.
U vendosa në Zvicër, me bindjen se nga aty do të kontribuoja më shumë. Edhe në Zvicër kemi pasur njerëz të njofshëm, si dhe pjesëtarë të familjeve. Të gjithë na kanë dhënë përkrahje të madhe morale, sidomos bashkëfshatarët.

PYETJE : Ti je dhëndërr i kolonel Tahir Zemajt, që është edhe figura më komplekse nga kolosët e luftës. Për së gjalli ka qartësuar shumë gjëra . Veç dy librave me motive nga lufta, ka dhënë edhe shumë intervista. Megjithatë, për të ende nuk është thënë fjala e fundit. Më 4 janar 2004, mbushet një vit nga vrasja e tij. A mund të thoshit diçka më tepër ?

Fadil Taloja: Është e vërtetë që kolonel Tahir Zemaj, për së gjalli, i ka qartësuar shumë gjëra. Pas dy librave « Kështu foli Tahir Zemaj », me motive dhe shpjegime nga lufta, doli nga shtypi një pamflet libër « Kështu bëri Tahir Zemaj ». Autorët e këtij libri, përveç falsifikimeve, janë marrë me shpifje dhe me jetën private të kolonel Zemajt. Për të treguar se krejt ai libër është pamflet me shpifjet më të paskrupullta, pa u thelluar shumë, do t’i përmend disa fakte. Tahir Zemaj, në qeshor të vitit 1991, nuk është liruar, por është arratisur nga Burgu i Dubravës. Në shtëpinë time ka qëndruar dhjetë ditë.

Pas dhjetë ditësh, me dy vetura e kemi përcjellë deri në Prishtinë. Në përcjellje të tij kam qenë unë, Azem Zemaj, Isuf Kurmehaj dhe Adem Coca. Gjatë rrugës, unë e kam bartur në shokë pasaportin e tij. Falë një organizimi të mirë dhe disa lidhjeve familjare, arriti të largohet në Perëndim. Posa ka arritur në Gjermani, siç e kam shpjeguar më herët, vazhdimisht ka qenë në kontakt me Salih Çekun, dhe ka qenë në dispozicion të instutucioneve të Republikës së Kosovës. Kolonel Tahir Zemajn, pa hak, e kanë akuzuar kundërshtarët, duke iu frikësuar famës së tij dhe respektit që kishte në Dukagjin dhe në krejt Kosovën.

Le ta kenë për turp autorët e librit pamflet „Kështu bëri Tahir Zemaj“, të cilët, ndër të tjera, e akuzuan se në Kroaci paska luftuar në anën e ushtrisë serbe, kundër Abesë që luftonte në anën kroate!!! Nuk ka njeri në botë që e ka parë Tahir Zemajn të ketë luftuar në Kroaci, përveç autorëve të librit akuzues – Ernest Lumës dhe Skënder Krasniqit. Besoj që kur të zbardhet vrasja e kolonel Zemajt, do të shkruhet edhe një libër tjetër me titullin „Kështu e vranë Tahir Zemajn“.

Edhe gazeta e falimentuar « 24 orë », me gojën e Kemajl Shaqirit të Tushilës, ka vjellur shumë vnerë mbi figurën e kolonel Zemajt. Unë do të thosha se sikur që gazeta « Zëri i Kosovës » i LPK-së, që e ka vrarë moralisht kolonel Ahmet Krasniqin, Kemajl Shaqiri, në gazetën « 24 orë », e ka vrarë moralisht kolonel Tahir Zemajn. Moralisht ia kanë varë edhe djalin Enisin. Ndërsa të tretë : Kolonel Zemajn, të birin e tij dhe kushëririn e tyre Hasanin, më 4 janar 2003, i vranë fizikisht kriminelët për të humbur gjurmët e krimeve të mëhershme. Për Kemajl Shaqirin kam për të thënë shumë, por tash për tash, do t’i them vetëm edhe dy fjalë. Veç kolonel Tahir Zemajt, ka deshmitarë të tjerë të gjallë që kanë thënë se Shaqiri ka qarë me lot sikur fëmija, duke e lutur ministrin e Mrojtjes Krasniqin që të mos e dërgojë në front. Ka qarë dhe në Koshare. Pastaj, botërisht dihet se Kemajli ka ikur nga Drenica, dhe kështu ka dezertuar nga UÇK-ja. Ky kameleon modern ditën ka qenë me Ministrinë e Mbrojtjes, natën e ka pështyrë atë.

Frikoheshim se Salihu do të dëbohej nga Zvicra në „Jugosllavi“

PYETJE : Kam dëshirë ta qartësojmë edhe një detaj rreth Salih Çekaj. Është përfolur se një herë ka qenë në rrezik të dëbohet për Serbi. Çfarë di ti ?

Fadil Tolaj: Pas fillimit së luftës në Kroaci, dhe vazhdimit të asaj në Bosnjë (1993/94), dihet që Serbia e trashi zullumin edhe në Kosovë. Veç shumë masave represive, filloi kolonizimin e Kosovës me serbë dhe malazezë. Në komunën e Deçanit, gjegjësisht në Junik dhe përgjatë rrugës Deçan – Gjakovë, filloi ndërtimin e shtëpive për kolonët serbë të Kroacisë dhe Bosnjës. Salihu vendosi ta pengojë këtë ndërtim. Me disa bashkëveprimtarë disa herë shkon nga Perëndimi dhe i shkatërron. Në mungesë të dokumentave për udhëtime legale, ilegalisht kalonte nga tri shtete, derisa arrinte në vendin e caktuar. Pas një aksioni që e kryen atje, kthehet në Zvicër. Kur niste për Gjermani, posa kalon kufirin, e ndalin autoritetet gjermane dhe e kthejnë sërish në Zvicër.

Autoritetet zvicërane e kanë mbajtur disa ditë, nën kërcënimin për ta dëbuar në ish-Jugosllavi. U shqetësuam shumë. Kot u munduam të kontaktojmë. Me Kadri Lokajn dhe Zenun Idrizin shkuam në Burgun e Bazelit të bënim diçka. Ishte krejt e kotë. U brengosëm tepër, kur na thanë se pas disa ditësh do t’ua dorëzonin autoriteteve serbe. Situatën e ka shpëtuar Xhafer Shatri, ministër i informatave në ish-Qeverinë e Kosovës. Falë ndërhyrjes së tij, autoritetet zvicërane Salihun e kanë kthyer në Shqipëri, e jo në Serbi. Në gjithë këtë rrëmujë, çfarë koinçidence? Duke kryer disa punë të miat për bashkim familjar, u takuam rastësisht në Policinë e Aeroportit të Cyrihit. Aty ndërruam dy-tri fjalë, dhe më tha se e dërgonin për Tiranë. Kur i tregova se të nesërmen duhej të fluturoja edhe unë andej, më porositi që të merrja me vete pak veshmbadhje për të dhe një shumë frangash. Të nesërmen jemi takuar në Aeroportin e Rinasit. Kishte dalë të me presë me Milazim Marajn.

PYETJE : Të gjitha gjërat i thoni të detajizuara…

Fadil Tolaj: I them, sepse në sakrificat e Salih Çekut, Adem Jasharit, Zahir Pajazitit etj., përfituan shumë njerëz që nuk u ka munguar as një pulë. Përfituan dhe u ngritën politikisht ata të cilët, kur këta kryenin aksione dhe ende pa e lëshuar territorin e Kosovës, lëshonin komunikata dhe vetëemëroheshin zëdhënës të UÇK-së, të njëjtit akuzonin, akuzojnë edhe sot duke na ndarë se kush është ose ishte kundër UÇK-së, e tash për a kundër TMK-së. Nuk ka shqiptarë që është kundër atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës, por janë, si jam edhe unë, kundër përfituesve dhe keqbërsëve, të cilët ia kanë prishur imazhin edhe lirisë, edhe Kosovës. Të gjithë jemi që TMK-ja të shndërrohet në ushtri të mirfilltë dhe të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Por, ata që kontribuan më së paku na dolën më të zëshmit. Tashmë thonë se edhe TKM-ja është e tyre!!!

PYETJE : Një kohë të gjatë, Salih Çekaj është anatemuar. Kush e bënte këtë dhe pse?

Fadil Tolaj: Salihun, edhe gjatë luftës, ka pasur të atillë që janë munduar ta anashkalojnë. Pas luftës, në vend të meritave dhe mirënjohjeve, kundërinstitucionalistët u munduan ta injorojnë. Kjo i bëhej Salihit, sepse ai që nga themelimi i institucioneve të Kosovës, për të cilat edhe vetë punoi shumë, i respektonte ato. Nga ana tjetër, edhe vetë këto institucione Salihut dhe bashkëveprimtarëve të tij, nuk i kanë dalë në ndihmë financiarisht. E di që prej vitit 1994 deri në luftën e haptë për shumë aksione dhe nevoja të organizimit Salihu ka kërkuar ndihmë nga ne, shokët e tij. Ka kërkuar ndihmë edhe për të tjerët në Kosovë.

PYETJE : Bashkëveprimtarë të Salihut flasin se ti ke ndihmuar disa herë, dhe se ke falur apo huazuar një shumë të caktuar parash. Si qëndron e vërteta?

Fadil Tolaj: Dihet që çdo organizim, përveç vullnetit dhe sakrificës së njerëzve, kërkon edhe mjete materiale. Ato shpesh mungonin. Qeveria që vepronte nga mërgimi taktizonte shumë. Atëherë, për të vepruar, duhej një lloj organizimi dhe ndihme interne. Më datën 20.08.1995, Salihu kërkoi një shumë të caktuar parash. Ishte e domosdoshme të bleheshin disa paisje, për t’i dërguar në Kosovë. Pasi e sigurova një pjesë të tyre, më 21.08.1995, me autorizimin e Salihut, ia kam dorëzuar në dorë 1300.00 Frs Zenun Idrizit.

Kah fundi i vitit 1996, Adem Jashari kishte kërkuar urgjentisht ndihma nëpërmes bacës Rifat. Këtë na e ka thënë Osman Ferizi, i cili e kishte informuar Salih Çekajn. Salihu, bashkë me Osman Ferizin dhe Ekrem Shehollin, veprojnë shpejtë, duke kërkuar nga shokët të mblidhen para. Në këtë aksion, kam marrë pjesë më 200.00 Frs. E di që janë tubuar 5830.00 franga e marka. Më 1 shkurt 1997, në Munih, Osman Ferizi dhe Ramadan Bobi ia kanë dorëzuar Rifat Jasharit.

Në fillim të vitit 1997, u vra Zahir Pajaziti me dy bashkëluftëtarë. Nuk vonoi shumë dhe filluan burgosjet e pjestarëve të UÇK-së në tërë Kosovën. Vala e arrestimeve e përfshiu edhe komunën e Deçanit, dhe preku bashkëpunëtorët e drejtpërdrejtë të Salih Çekajt, siç ishte Agron Tolaj, Arif Panxhaj etj. Këto vrasje dhe arrestime i dhanë grusht të rëndë organizimit të UÇK-së. Menjëherë u ndie nevoja e përtëritjes së radhëve dhe nevoja për mjete materiale. Në shtator të vitit 1997, Salihu kërkoi nga unë 10000.00 DM, me kusht që më vonë të më kthehen. Ashtu edhe ka ndodhur. Këto marka, në shumën e frangave zvicërane, prapë, me autorizimin e Salihut, ia kam dorëzuar Zenun Idrizit. Ky i ka dorëzuar në vendin e caktuar.

Në pranverën e vitit 1997, pas trazirave që ndodhën në Shqipëri, Salihu kishte disa njerëz në Veri të Shqipërisë, si Shpend dhe Xajë Çelën etj., të cilët ishin të gatshëm të bëjnë shumë për Kosovën. Në Shqipëri, si njeri i Salihut, vepronte edhe Ismet Çeku. Tash ishte mundësia, me çmime të volitshme, të blihen shumë armë të kalibrave të ndryshëm. Salihu prapë m’i kërkoi 10000.00 CHF. Tash çdo kush e dinte se lufta me shpejtësi të madhe do ta përfshijë Kosovën, prandaj nuk ishte momenti për ngurrim. Nuk më qëlluan aq sa m’i kërkonte, por 8000.00 franga zvicërane, në banesën e tij në Shtutgart, Salihut ia kam dorëzuar në dorë më datën 05.12.1997. I pranishëm ka qenë edhe Demë Tolaj.

PYETJE : Fillimi i vitit 1998 ishte shumë i egër për shumë familje në Drenicë. Forcat serbe sulmuan familjen Jashari nga Prekazi, pastaj masakruan disa familje në Likoshan dhe Qirez. Në mars, pas rezistencës tri ditëshe (më 5, 6, 7) forcat serbe me artileri të rëndë vrasin shpirtin e rezistencës Adem Jasharin dhe shumicën e anëtarëve të familjes së tij. Ndryshon çdo gjë në organizimin e shqiptarëve. Si u gjendën bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët e Salih Çekut në këto rrethana të reja?

Fadil Tolaj: Pas këtyre masakrave të serbëve në Drenicë, lufta e haptë pëlciti edhe në Dukagjin. Tash u paraqit nevoja për një riorganizim. Salihu, si gjithnjë, veproi me shpejtësi. Erdhi në Zvicër me kolonel Tahir Zemajn, për t’i bashkërenditur veprimet me Ministrinë e Mbrojtjes. Ata vepruan në dy drejtime. Salihu shkoi në Lucern, në një tubim me bashkatdhetarë, ku merrnin pjesë parti politike dhe shoqata të ndryshme. Tahiri shkoi të takohej me disa oficerë shqiptarë, për ta organizuar luftën kundër forcave serbe, që në Kosovë i kishin filluar masakrat. Atë ditë, Tahirin e kam shoqëruar unë.

Së pari, kërkoi të takohej me Zeqir Lekën, jo që kishte ndonjë përgatitje të lartë ushtarake, por ky, në disa ndeja, i kishte deklaruar Tahirit se në momentin e caktuar, do t’i bashkëngjitej dhe do të hynin bashkë në Kosovë. Takimin e realizuam në Mëvempik të Regensdorfit. Biseda zgjati më se katër orë. Tahiri qe shumë i qartë. Ia tregoi formën e organizimit dhe kohën kur do të hynin shumica e oficerëve shqiptarë në Kosovë. Asnjë rezultat! Thjesht, Zeqir „vodniku“ nuk ishte në gjendje ta realizojë atë që kishte deklaruar. Deklarimet e tij, disa herë, i kam dëgjuar edhe vetë. Mandej, në disa regjione të Zvicrës, kishte shkuar aq larg, sa kishte bërë edhe lista për rekrutim, në kohën kur nuk duhej. Tash kur duhej, Zeqiri merrej me filozofi patriotike, e lufta bënte kërdi në Kosovë.

Pas këtij takimi, shkuam për Cyrih. Tahiri me Agim Mehmetin kishin lënë një takim tjetër, me disa oficerë të tjerë. Atë ditë, ka ndodhur maskara në Lybeniç. Takimet ishin shumë të ngjeshura. Mu për këtë, pak pas mesnatës, me Tahirin u kthyem në banesën time. Dy orë më vonë, u kthyen edhe Salihu e Demë Tolaj. Përpos që ishin të lodhur, ishin tej mase edhe të dëshpëruar për shkak të shumë pengesave, që i kishin krijuar disa sabotues që flisnin në emër të UÇK-së, por për të cilët asgjë nuk ishte e vlefshme nëse nuk ishte në vijën politike të Enver Hoxhës. Nga dëshira për të ditur se çka po ndodhte në Kosovë, kah ora tre e mëngjesit, e mora në telefon nipin tim, Shkëlzen Kuçin nga Deçani. Në telefon, i dëgjoja rafalet e detonimeve që ia fusnin njeriut frikën në Zvicër, e lere më atyre që ishin shumë afër tyre.

Shkëlzeni , tepër i dëshpruar me organizimin e dobët, m’u drejtua : « Si është mundur, o dajë, të shkojmë në Shqipëri për armatime, të rrezikojmë me qindra veta, e të kthehemi duarthatë?! Çfarë organizimi është ky, kur nuk na mundësohet të armatosemi as për vetëmbrojtje? ». I tronditur nga këto fjalë, nuk dita si t’i përgjigjem. Pasi të gjithë sa ishim të pranishëm e kishim dëgjuar bisedën, i thashë : « A do dikënd tjetër të bisedosh, se unë s’kam koment për këtë“ ». « Po », tha. Ia afova dëgjuesen Salihut. Kur Salihu iu prezantua me emër e mbiemër se « unë jam Salih Çekaj », për Shkëlzenin ishte befasi, por edhe një kurajo. Salihu njihej në gjithë komunën e Deçanit, si shpresa më e madhe. Biseda e tyre zgjati më shumë se gjysmë ore. Të nesërmen Salihu dhe Tahiri u kthyen për Gjermani.

Pas pak kohe, kanë udhëtuar për Shqipëri. Pasi marrin pjesë në formimin e Brigadave të famshme të komanduara nga Minsitria e Mbrojtjes, me të cilën komandonte kolonel Ahmet Krasniqi, me urdhërin e tij, Salihu dhe Tahiri, me shumë oficerë dhe ushtarë, hynë në Kosovë. Se si kanë rrjedhur ngjarjet, për shumë çka dihet. Për luftën që ka bërë në Dukagjin, kolonel Tahir Zemaj ka pasur dhe ka dhënë mjaft material. Deri sot askush s’i ka kontestuar, madje as pas vrasjes së tij nga kriminelë të regjur. Pas vrasjes, ata që kishin folur shpesh me përbuzje për të, pranuan që kur kanë qenë në zor, Tahirit ia kanë besuar vëllezërit për t’ua shpëtuar jetën. Salihu qëndroi në front, derisa ra heroikisht në front kundër focave serbe në Betejën e Koshares, vetëm disa ditë pas Agim Ramadanit. Mendoj që, për Kosharen, ka edhe shumë çka të shkruhet, sidomos për rolin që kanë luajtur Salihu dhe Agimi.

PYETJE : Vitin e Ri 2003 e keni pritur bashkë me kolonel Tahir Zemajn, në banesën e tij në Berlin. Ai kishte në plan të udhëtojë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Udhëtimin nuk e realizoi, sepse më 4 janar 2003, pasi kishte udhëtuar për Kosovë, kriminelët e vranë në Pejë. A ke vërejtur te ai ndonjë shqetësim të jashtzakonshëm atyre ditëve sa keni qenë bashkë në Berlin?

Fadil Tolaj: Po, është e vërtetë që vitin e Ri 2003 e kam pritur në Berlin, së bashku me kolonel Tahir Zemajn. Ishte dëshirë e tij. Fatkeqësisht qe viti i fundit që e kemi pritur me të. Vit që do të më mbetet në kujtim tërë jetën. Është e vërtetë që ato ditë ka pasur të fluturojë nga Prishtina për në SHBA. Ndërsa sa i përket ndonjë shqetësimi të veçantë, ai për veti kurrë nuk ka pasur, as kur ka luftuar kundër forcave serbe. Të gjithë e dinë që ka qenë trim. Por, për djalin të cilin e ka dashur shumë, e di që vazhdimisht ka pasur shqetësime.

PYETJE : Gjatë bisedës sonë keni qartësuar shumë gjëra. Keni përmenduar edhe shumë emra. Vrasjet politike në Kosovë nuk janë ndalur ende. Vrasja e Sebahate Tolajt dhe Jusuf Haklajt na janë ende të freskëta. A keni frikë për këtë që e thatë?

Fadil Tolaj: Fatkeqësisht ndodhën edhe këto vrasje tepër të rënda. Gjatë luftës, ndodh gjithçka, por pas luftës nuk është dashur kurrsesi. Ne shqiptarët jemi ngopur me to. Njëqind vjet vrasje. Këto të fundit që i përmendët, janë kulmi i tragjedisë sonë, sepse, veç individëve, po vriten institucionet. Ndërsa në komunën e Deçanit do t’i përmendi tri fshatra: Pobërxhën, Strellcin dhe Isniqin, që u vranë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Kur jemi te frika, nuk di pse duhet të kem frikë nga e vërteta ? Çdo gjë që kam thënë, është e vërtetë. Fundi i fundit shpirt kemi të gjithë.

Për ta mbyllur këtë bisedë, kam dëshirë t’i them edhe dy-tri fjalë për figurën e Salih Çekajt. Me këtë rast, do të citoja profesorin e nderuar, Emrush Lokajn, i cili, në të pame për Salihun, thoshte: „Kur lexonim dhe mësonim për Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin etj., e pyesnim vetveten se a thua si janë dukur këta njerëz?“. Tash, kur e analizoj punën dhe kontributin e tyre dhe të Sali Çekajt, them: Si kanë mundur të jenë ndryshe, veç si Salih Çekaj. Kontributi i tij kombëtar, është tipik një kontribut si i rilindasve. /FUND