Çështja e Çamërisë: Askujt nuk i lejtohet të bëjë pazare në dëm të saj, as ta thjeshtësojë në çështje pronash

12.10.2016 11:38:51

Asnjë ministër, asnjë kryeministër, asnjë president, asnjë Kuvend dhe asnjë institucion tjetër vendor apo ndërkombëtar nuk ka të drejtë të bëjë dhe të pranojë pazare të tilla. Shteti shqiptar nuk mund të vendosë për identitetin e mohuar të shqiptarëve të Çamërisë dhe të asnjë pjese tjetër, as për pronat e tyre dhe as për të drejtat e tyre.

(Dy shkrime të shkurtëra për çështjen e Çamërisë të publikuara më parë, por që i risjelli në kontekst të vizitës së Ilir Metës në Greqi)

Dy fjalë për Çamërinë dhe për kohën tonë

Çamëria duhet të trajtohet me argumente historike, etnike, juridike dhe politike. Çamëria është dhe do të jetë derisa të gjendet zgjidhja për të. Elementi i parë: njohja e së drejtës së pronësisë dhë trashëgimisë; elementi i dytë: heqja e kufizimeve për lëvizje të lirë të shqiptarëve të Çamërisë; elementi i tretë: e drejta e deklarimit etnik të shqiptarëve të Çamërisë. Të tre këta elementë bazohen në të drejtën pozitive ndërkombëtare dhe në dokumente dhe konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Greqia do të jetë e pafuqishme të pengojë avancimin e çështjes së Çamërisë, e njohu apo nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Greqia do të ballafaqohet me uraganin e shqiptarëve jo me armë, jo me luftë, por me argumente shkencore që dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë këtu denbabaden, se ky gadishull është Iliri dhe të gjithë kush më shumë e kush më pak identitetin e tyre e kanë krijuar mbi një substrat ilir. Dhe derisa identiteti i lashtë i shqiptarëve po vihet në dukje dhe po argumentohet dhe po konfirmohet çdo herë e më shumë, identiteti i grekëve nga helenët po vihet në dyshim. Marko Boçari me suliotët janë më meritorët për pavarësinë e Greqisë, kohë kur po thuhet se gjuha e arvanitëve ishte gjuhë zyrtare. Edhe historia e Bizantit dhe e ortodoksisë po rishikohet. Unë nuk jam nga entuziasto-patetikët dhe nga patriotët folkloristë që e mbushin facebook-un me lloj-lloj teorie, por megjithatë duhet pranuar se dorët dhe fiset tjera që erdhën në Heladë, kanë gjetur një qytetërim këtu. Shkrimi linear A dhe shkrimi linerar B të zbuluar në pllakat e gjetura në Mikenë dhe gjetiu, ndoshta duhet të rishikohen, sepse ka gjasa se janë bërë shpjegime jo fort të qëndrueshme. Pra, për dallim nga shqiptarët që po ridimensionohen në kontekst identitar, qytetërues dhe faktografik në përmasa globale, të tjerët po dalin bllof në këto aspekte. Me fjalë të tjera, shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për uraganin shkencor që do t’ua rrënojë të tjerëve të gjitha mashtrimet në dëm të tyre. Dhe kur them këtë kam parasysh forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik, e partneritetit strategjik ndërkombëtar që do t’i bëjnë shqiptarët faktorin kryesor në rajon dhe më gjerë. Dhe si faktor kryesor, shqiprarët do të jenë në gjendje për të realizuar të gjitha të drejtat reale, shkencore dhe kombëtare, pa pasur nevojë as për “Meghali Idea”, as “Naçertanja”, as projekte të tilla shoviniste dhe raciste. Shqiptarët duhet t’u ruhen ekzaltimit nga zbulimet shkencore që pritet të ndodhin e që do t’i shtynte kah teoritë raciste, duhet t’u ruhen, po ashtu, provokimeve të sllavo-ortodoksëve dhe të tjerëve për të nxitur reagime emocionale, të pamatura dhe të parakohshme. Koha jonë po vjen dhe nuk duhet lejuar që të na e vrasin, të na e gjymtojnë dhe të na e përgjakin atë.

31 maj 2016

Edhe një herë shkurt për çështjen e Çamërisë

Asnjë ministër, asnjë kryeministër, asnjë president, asnjë Kuvend dhe asnjë institucion tjetër vendor apo ndërkombëtar nuk ka të drejtë të bëjë dhe të pranojë pazare të tilla. Shteti shqiptar nuk mund të vendosë për identitetin e mohuar të shqiptarëve të Çamërisë dhe të asnjë pjese tjetër, as për pronat e tyre dhe as për të drejtat e tyre. Natyrisht, asnjë ndërlidhje nuk mund të ketë ndërmjet njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, me çështjen e Çamërisë. Kurrë të mos e njohë Greqia pavarësinë e Kosovës po mundi, por nuk mund të zhbëjë në asnjë mënyrë çështjen e Çamërisë. Golgota e shqiptarëve të Çamërisë, tmerret dhe gjenocidi grek mbi ta, dëbimi masiv i tyre nga pronat e tyre, po bëhen të njohura gjithnjë e më shumë, por duhet të bëhen edhe më shumë. E kam thënë edhe më parë se koha e shqiptarëve po vjen, dhe pikërisht për këtë grekët dhe sllavo-ortodoksët po bëjnë gjithçka që të imponojnë zgjidhje të dëmshme për shqiptarët. Por pavarësisht këtyre, asnjë qeveri dhe askush nuk ka mandat të hyjë dhe të pranojë pazare në dëm të shqiptarëve. Çështja kombëtare nuk është as nuk do të jetë çështje e një brezi dhe e një kohe. Çështja kombëtare është çështje e një kombi, e brezave të mëparshëm, të tashëm dhe të ardhshëm. Dhe secili brez duhet të kryejë obligimet e tij ndaj çështjes kombëtare në bazë të mundësive dhe të rrethanave. Aristidh Kola një nga njerëzit e mëdhenj të kombit, ka dëshmuar se kur individi mundet, një brez mundet edhe më shumë, disa breza edhe më shumē. Helmimi i Aristidh Kolës nga grekët, është dëshmia e qartë e frikës që Greqia ka nga e vërteta për çështjen e Çamërisë, është dëshmia se sa ka frikë Greqia nga afirmimi i kësaj çështjeje në nivelet ndërkombëtare. Aristidh Kola ka lënë për të gjithë mesazhin e përkushtimit, të angazhimit dhe të vetësakrifikimit në funksion të afirmimit të të vërtetës për çështjen e Çamërisë. E vërteta për çështjen e Çamërisë, plasimi i saj në kancelaritë ndërkombëtare dhe përkushtimi për të bashkërenduar angazhimet me aleatët tanë strategjikë, forcimi i shtetit shqiptar, i Kosovës dhe përgjithësisht i faktorit shqiptar në rajon dhe në botë, janë garancitë se kjo çështje do të zgjidhet një ditë.

4 qershor 2016