Akoma asgjë për fatin e dy policëve, Haradinaj niset për Kaçanik

29.04.2018 19:48:22

Haradinaj ka pritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashin, dhe UD drejtorin e Policisë së Kosovës, Naim Rexha, me ç’rast pranoi një raport të parë për ngjarjen tragjike të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena.

Ai iu ka shprehur keqardhjen e tij për këtë rast, ndërsa thotë se do t’i qëndrojnë afër familjeve të policëve.

“U informova për rastin, për ecurinë e deritashme të kërkimeve, si dhe për procedurat e mëtejme për këtë ngjarje. Shfrytëzova rastin që t’u shpreh keqardhjen time të thellë për këtë rast, ministrit Gashi, UD drejtorit Rexha, familjarëve të dy policëve, të gjithë kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës dhe popullit të Kosovës, duke i siguruar se si Qeveri e Republikës së Kosovës do t’u qëndrojmë afër familjeve të policëve, por edhe do të angazhohemi që në të gjitha format ta mbështesim Policinë e Kosovës, për punën e çmueshme që po bënë për rendin dhe sigurinë tonë”, ka thënë Haradinaj.

Ai më tutje ka shtuar, “tani, së bashku me Gashin dhe me UD drejtorin Rexha, po shkojmë te vendi i fatkeqësisë, për t’u interesuar nga afër dhe për t’i falënderuar të gjithë kërkuesit e dy policëve të aksidentuar, për angazhimin e tyre”.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka dalë para pak kohësh edhe në territorin maqedon, për të kërkuar në shtratin e lumit Lepenc që vazhdon në shtetin fqinj.

Ndryshe, dy policët u vetëaksidentuan mbrëmë rreth orës 20:45 në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit dhe përfunduan në një humnerë mbi 100 metërshe. Policia ka gjetur veturën dhe disa gjymtyrë njerëzore.