Aksion simbolik studentor: “Erdhi Dita/Kryeministri gatitu para flamurit lara-lara” dhe “Beso/Kryeparlamentare e shkele Kushtetutën”

05.02.2020 16:21:33

Disa studentë të Universitetit të Prishtinës, sot kanë zhvilluar një aksion simbolik në hyrje të Qeverisë së Kosovës dhe në hyrje të Kuvendit të Kosovës, me dy mesazhe për bartësit e këtyre dy institucioneve.

Pas vendosjes së pankartës “Erdhi Dita: Kryeministri gatitu para flamurit lara-lara”, studentja Diellza Gashi ka thënë se kryeministri aktual, Albin Kurti, me dekada i mohoi institucionet dhe simbolet e Republikës së Kosovës.

“I përbuzi ato. I përdhosi me ujëra të zeza dhe i dogji me molotovë. Por, ai dje qëndroi gatitu para flamurit të Republikës së Kosovës, që dikur e quante flamur lara-lara apo flamur i Hib Petrolit. Përdhosjen e simboleve shtetërore ai e kishte shndërruar në trashëgimi politike”, ka thënë ajo.

Po ashtu, me sjelljen e tij politike, me gaz lotsjellës në Kuvend, me përdorimin e dhunës në rrugë, me ngritjen e tendave dhe grevat në shesh, sipas kësaj studenteje, Albin Kurti e ka ushqyer gjithmonë iluzionin se Kosova nuk bëhet, se Kosova është shtet i dështuar, duke kërkuar një Republikë të Tretë.

Si studentë, Gashi ka thënë se i gëzohen shkeljes së parimeve të Kurtit dhe ndryshimit të tij.

Ndërsa, pas vendosjes së pankartës “Beso: Kryeparlamentare e shkele Kushtetutën”, ajo ka thënë se Ligji për Protokollin e Shtetit i obligon të gjitha institucionet që ta vendosin fotografinë e Presidentit të Republikës, por kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në ditën e parë të punës e shkeli ligjin, e shkeli Kushtetutën, duke hequr nga zyra e saj fotografinë zyrtare të Presidentit të Republikës.

“Kryetarja e Kuvendit dje tha se e njeh mirë legjislacionin dhe nuk ka shkelje kushtetuese, por njëjtë kishte thënë edhe në rastin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, i cili kishte dhënë dorëheqje pikërisht sepse Vjosa Osmani si këshilltare e tij ligjore e kishte këshilluar gabimisht”, ka thënë Gashi.

Në nenin 4, pika 3, të Rregullores së Qeverisë së Kosovës Nr. 19/2011, sipas studentes, thuhet  shumë qartë se fotografia e Presidentit në zyre duhet të vendoset në mur, në vend të dukshëm apo ballor.

“Si e dyta në hierarkinë shtetërore, Vjosa Osmani menjëherë tregoi që nuk e respekton as hierarkinë, as përfaqësimin dhe as ceremonialet zyrtare e protokollare të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Por, edhe kryeparlamentarja, edhe kryeministri, edhe çdo titullar tjetër në institucionet e Kosovës, sipas saj, duhet ta kenë të qartë se pozitat dhe ata janë të përkohshëm, kurse institucionet dhe Republika e Kosovës të përhershme.