Aktivistët e arrestuar nuk u keqtrajtuan nga policia

31.08.2016 12:40:18

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës  (MKPT) i Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), në kuadër të mandatit për vlerësimin e respektimit të të drejtave të personave të ndaluar dhe në përgjigje të ftesës së bërë publikisht për të vizituar të arrestuarit  më datë 30 gusht 2016, ka realizuar vizitë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

MKPT ka intervistuar gjashtë të ndaluarit (F.K., A.B., P.A., E.H., A.A., A.D.), si dhe ka shikuar regjistrin e pranimit dhe dosjet e të ndaluarve në Qendrën e Ndalimit, nga ku shihet se nuk ka pasur shkelje procedurale.

Sipas të ndaluarve, arrestimet kanë ndodhur në mëngjes herët, në shtëpitë, respektivisht banesat e tyre. Nga të ndaluarit nuk ka pasur ankesa për tejkalim të kompetencave të policisë dhe as nevojë për trajtim mjekësor.

Ata kanë pohuar se trajtimi i tyre fizik dhe verbal ka qenë korrekt. Të ndaluarit kanë pohuar se kanë nënshkruar listën e gjërave të sekuestruara gjatë bastisjes.

Të ndaluarit nuk paraqitën ndonjë vërejtje sa i përket trajtimit në Qendrën e Ndalimit. I ndaluari P.A. ka parashtruar kërkesën për Avokatin e Popullit për të ndjekur edhe më tutje rastin e tyre.

Avokati i Popullit do të monitoroj procesin e mëtejmë sa i përket pajtueshmërisë me standardet e gjykimit korrekt, brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i VV-së,Dardan Molliqaj dje ka thënë në një konferencë për media se ka informacione që aktivistët e arrestuar janë rrahur për të pranuar se kanë kryer sulmin në Kuvend.

“Është e njëjta metodë që e ka përdoru UDB-ja dhe SHIK-ut tash e sa kohë. Është ky regjim policor i cili kishte hyrë në zyre e VV për të shpërndarë frikë, me 28 nëntor 2015. Ne atëherë nuk kemi heshtur. Këto ndërhyrje të Policisë vetëm sa e bëjnë të qartë rrugën tonë deri në shkatërrimin e këtij regjimit të mafiozëve dhe kriminelëve”, ka theksuar dje Molliqaj.