Akuzat e Kurtit ndaj SHBA-ve dhe “humanizmi i Serbisë” – dy humbjet e Kosovës në mediat e huaja për vetëm tri ditë

21.04.2020 15:03:51

Për vetëm tre ditë, Kosova pësoi dy humbje të mëdha mediale përballë Serbisë. Brenda kësaj periudhe, mediat prestigjoze ndërkombëtare raportuan për “humanitetin” e shtetit serb përballë Kosovë, që ndërlidhej me dërgimin e 1 mijë testeve për COVID-19 në vendin tonë. Raportimi tjetër kishte të bënte me akuzat e Kurtit ndaj SHBA-ve për përzierje në punët e brendshme të Kosovës.

Arritja e 1 mijë testeve nga Serbia në Kosovë, si formë donacioni për shtetin kosovar përveç që la shumë dyshime për formën dhe qëllimin e tyre, shkaktoi edhe reagime të mëdha në publik, kryesisht tek spektri politik opozitar në vendin tonë, shkruan lajmi.net.

Ky veprim i Serbisë, mori jehonë të madhe tek mediat prestigjoze ndërkombëtare. “New York Times” e “Reuters” janë vetëm disa nga mediat që raportuan për të ashqutuajturin “solidaritet” të Serbisë përballë Kosovës, duke cituar dhënien e 1 mijë testeve për koronavirus.

“Serbia ia ka dhuruar Kosovës 1000 teste për koronavirus të premten në shenjë solidariteti, përkundër fërkimeve tregtare, historisë së dhunshme të kohëve të fundit dhe dështimit të Kosovës për të siguruar njohje nga Serbia si një vend i pavarur”, thuhet në raportimin e “Reuters”.

Tre ditë më pas,  saktësisht të hënën, mediumi prestigjoz britanik “The Guardian”, raportoi për akuzën e rëndë të Kurtit karshi SHBA-ve dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell.

Në artikull citohen fjalët e Kurtit, teksa thotë se Grenell është direkt i përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij.

Sipas asaj që raportohet aty, Kurti mendon se SHBA-ve dhe Trumpit i duhet “një marrëveshje e shpejtë, për t’i treguar botës se ata mund t’i shuajnë konfliktet nëpër botë”, e që sipas Kurtit do të paraqiste një vit të suksesshëm zgjedhor për presidentin aktual amerikan, Donald Trump.

Marrëdhëniet aktuale të qeverisë së Kosovës me SHBA-të konsiderohet se janë më të tensionuarat që pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Taksa, reciprociteti dhe akuzat e Kurtit karshi Richard Grenell e kanë karakterizuar këtë raport ditëve të fundit, tensione këto që tanimë kanë marrë edhe jehonë ndërkombëtare.

Ndërkohë, është vet Richard Grenell ai që përmes një postimi në Tëitter të dielen  tha se qeveria e re në Kosovë, duhet ta heq menjëherë recipocitetin ndaj Serbisë, në atë formë që të rifillojë menjëherë dialogu.

Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes kryetarit Isa Mustafa janë shprehur të gatshëm të ndërmarrin veprime karshi këshillave të SHBA-ve, që përfshijnë edhe heqjen e reciprocitetit dhe nisjen e dialiogut.