Akuzat e Ramës ndaj kryebashkiakes,Voltana Ademit, Basha: E nisi dhe e mbaroi duke fyer një grua

15.05.2017 23:37:15

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të bëra sot në Shkodër nga kryeministri Edi Rama në drejtim të kryebashkiakes Voltana Ademi.

Përmes një statusi në Facebook, Basha e cilëson kryeministrin një frikacak që e nisi dhe e mbaroi takimin me 18-vjeçarët duke fyer një grua. Sipas kryedemokratit, Rama çmon gratë që i nënshtrohen, që i fyen, që i sundon, që i binden, që i nëpërkëmb

“Çdo i ri, kur thirret në një takim nga kryeministri i vendit, me të drejtë pret të dëgjojë ide, argumente, vizione, projekte që do ta preknin jetën e tij, të ardhmen e tij.

Ndërsa sot, Rama u tregoi qartazi të rinjve në Shkodër, se çarë nuk duhet të jetë politika. U tregoi llumin e tranzicionit që është ende prezent në Shqipëri 27 vite pas nisjes së pluralizimit.

E nisi dhe e mbaroi takimin duke fyer rëndë një kryetare bashkie, një shkodrane, një qytetare, një nënë, një grua.

Paturpësisht dhe në sy të disa 18-vjeçarëve, të cilët i ka ndëshkuar duke mos dhënë asnjë fond për qytetin e tyre vetëm sepse shkodranët nuk e kanë votuar.

Sulmet e përsëritura të Ramës ndaj zonjës Voltana Ademi, nxjerrin në pah një të vërtetë. Ky palo burrë, çmon gratë që i nënshtrohen, që i fyen, që i sundon, që i binden, që i nëpërkëmb. Ose gratë me të cilat ndan biznesin, aferat, koncesionet dhe bankat private.

Një zonjë që e kundërshton, që nuk i nënshtrohet, që reagon me dinjitet, ai e ka frikë ndaj dhe e sulmon si frikacak.
Ky është Edi Rama. Me çdo vilmanush e çdo linditë që bën lekë me të, që e pranon si shef, që ja pertyp fyerjet dhe fodullëkun, ai e ka në rregull. Por me çdo grua që mendon ndryshe, që ka krenari dhe forcë për të mos u përkulur, atë e kap një frikë e madhe që as nuk e fsheh dot.
Ky është modeli i shpifur politik i republikës së vjetër që po zhduket”, shkruan Basha në FB.