Akuzat e Thaçit, Tritan Shehu: Berisha, kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën

05.08.2018 00:26:17

Teza e ndarjes së Kosovës që po përflitet në media dhe gatishmëria e Presidentit Hashim Thaçi për të punuar për një korrigjim kufijsh me Serbinë, u kundërshtua sot nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili hodhi akuza për tradhti.

Thaçi ju kundërpërgjigj Berishës duke e akuzuar për mbrojtjen e Arkanit dhe tregtinë e armëve me Milloshevicin, duke krijuar kështu një atmosferë aspak të qetë në të dy anët e kufirit. Për konstatimet e Thaçit në raport me Berishës, ka ardhur edhe reagimi i parë nga PD, nga deputeti Tritan Shehu.

Sipas tij akuzat e Thaçit bien poshtë pasi Berisha ka pasur një rol të pazëvendësueshëm për zhvillimin e Shqipërisë, Kosovës e rajonit dhe demokratizimin e këtyre vendeve.

“Me shumë habi dëgjova, pikërisht sapo bëra një postim për rolin e Berishës në mbështetje të Kosovës, një sërë “akuzash” ndaj tij, diametralisht të kundërta me realitetin, rolin e kontributin e tij. Si një njeri që ka bashkëpunuar gjatë me atë, që kam pas nderin të jem dhe Ministër i Jashtëm kur ai ishte President, nuk mund të mos indinjohem thellë nga ato. Nuk ja vlen të shkruash gjatë për të rrëzuar të tilla shtrembërime, por nuk mund të rri pa theksuar atë që është e vërteta, rolin e pa zëvendësueshëm të Berishës jo vetëm për demokratizimin e hapjen e Shqipërisë, por dhe për kombin tone, përfshi e Kosovën e Rajonin”, shkruan Shehu në Facebook.

Ai shton se “një faktor thelbësor në arritjet e pa imagjinueshme të shqiptareve në këto 25 vite kanë qenë dhe zhvillimet demokratike në Shqipëri, ecja e saj e shpejtë drejt NATO e BE, racionaliteti e vizioni i politikave tona, roli thellësisht integrues e stabilizues për Rajonin që ne luajtëm prej Marsit 1992 dhe pa dyshim roli i Berishës si lideri i lëvizjes e proceseve tona demokratike, ishte parësor në të gjitha këto procese”.

“Fatmirësisht edhe aktualisht mendimi e autoriteti i tij i pa diskutueshëm vazhdon të jetë një mbështetje e ndihmë e madhe në këtë drejtim, që duhet dëgjuar e vlerësuar me kujdes”, thekson Shehu.