Liverpooli trondit Napolin me një “tërmet” 5-ballësh

05.08.2018 01:00:35

Napoli i Ancelottit fut ujë nga të gjitha anët. Të kaltrit me Elseid Hysajn në fushë u turpëruan në Dublin të Republikës së Irlandës nga Liverpooli i Jurgen Klopp.

Një humbje e thellë me shifrat 5-0 për Napolin që në këtë miqësore nuk prodhoi pothuajse asgjë edhe pse mungesa e vetme në fushë ishte ajo e Mertens që ende nuk është kthyer nga pushimet. 5 autorë të ndryshëm golash për The Reds me Shaqirin që luajti në 45 minutat e dyta duke zëvendësuar Firminon.

Në pjesën e parë për Liverpoolin realizuan 2 mesfushorët Milner e Wijnaldum që në 9 minutat e para.

Ndërkohë  në fraksionin e dytë skuadra e Ancelottit u shkërmoq me 3 gola të tjerë nga Salah, Sturridge e Alberto Moreno. Në këtë ndeshje me The Reds, debutuan edhe dy nga blerjet e reja, portieri Allison dhe mesfushori Naby Keita.

Me këtë paraqitje Liverpooli i Klopp tregoi se është gati për javën e parë të Premier League që fillon fundjavën e ardhshme, ndërsa Napoli ka ende shumë punë për të bërë.