Albena Reshitaj deklarohet pas aderimit në AAK dhe zgjedhjes nënkryetare

29.07.2019 21:48:19

Albena Reshitaj sot ka aderuar në partinë e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Përveç kësaj ajo është votuar në Këshillin Drejtues të partisë dhe është zgjedhur nënkryetare e këtij subjekti.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Reshitaj, ka falënderuar Haradinajn për vlerësimin dhe besimin, përcjell lajmi.net.

“Është kjo një mundësi që të vazhdoj të jap kontributin tim në shërbim të qytetarëve, duke ruajtur parimet e mija profesionale, mbi të cilat mendoj që mund të ndërtohet e ardhmja e një vendi”, ka shkruar ndër të tjera Reshitaj.

Reshitaj ka qenë ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë Haradinaj sa ka qenë pjesë e AKR-së prej ku ishte larguar më pas dhe kishte shërbyer si këshilltare e Haradinajt në Qeveri.

Postimi i plotë i Reshitajt pa ndërhyrje:

Të dashur miq dhe qytetarë

Ju njoftoj se prej sot angazhimin tim politik do ta vazhdoj në kaudër të Aleancës per Adhmërinë e Kosovës, ku edhe kam aderuar. E falenderoj liderin, kryeministrin Ramush Haradinaj për vlerësim dhe besim për të më propozuar në Këshillin Drejtues te AAK-së që të votohem nënkryetare e këtij subjekti politik.

Është kjo një mundësi që të vazhdoj të jap kontributin tim në shërbim të qytetarëve, duke ruajtur parimet e mija profesionale, mbi të cilat mendoj që mund të ndërtohet e ardhmja e një vendi.

Nuk do të kursej që bagazhin tim profesional, intelektual e politik ta vë në shërbim të vendit dhe qytetarëve. Për besimin dhe për këtë mundësi, falenderoj të gjithë antarët e Këshillit Drejtues, ashtu si edhe të gjithë antarët e Aleancës, me të cilët dua dhe do të bashkëpunoj në të mirën e vendit.

Duke marr përgjegjësi si nënkryetare e këtij subjekti politik, me sinqeritetin me të madh shprehem se do të përkushtohem në vizionin e Aleancës drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosoves. Marr pergjegjesinë në realizimin e Programit dhe idesë për një Kosovë të zhvilluar dhe të dinjitetëshme, në shtyerjen e proceseve demokratike përpara, duke punuar dhe duke dhënë shembull për një model të mirë dhe imazh pozitiv për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ndihem e nderuar të punoj dhe të kontribuoj në një Program profesional, por mbi të gjitha atdhetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës -së, për zhvillimin e Kosoves.