Haxhiu thotë se Haradinaj nuk dha dorëheqje për shkak të Gjykatës Speciale

29.07.2019 21:27:46

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas veprimit të kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim e dorëheqjes së tij.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas veprimit të kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas këtij akti.

Haxhiu në një shkrim të bërë në Facebook ka shkruar se, Haradinaj ka dhënë dorëheqje duke u viktimizuar me ftesën nga Gjykata Speciale, që sipas deputetes arsye nuk ishte ftesa e speciales.

“Kur pa që nuk mundet më të përfitoi në emër të luftës, duket se i ra pishman për dorëheqjen. Tani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sepse mundohet të gjej një deriçkë për të ruajtur pushtetin që e kishte dhe që e keqpërdori aq shumë”, ka shkruar ajo ndër të tjerash, përcjell lajmi.net.

Deputetja ka theksuar se kthim prapa nuk mund të këtë dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen sa më parë.

Postimi i plotë i Haxhiut pa ndërhyrje:

Haradinaj dha dorëheqje duke u viktimizuar me ftesën nga Gjykata Speciale ndonëse arsye nuk ishte ftesa e speciales.

Kur pa që nuk mundet më të përfitoi në emër të luftës, duket se i ra pishman për dorëheqjen. Tani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sepse mundohet të gjej një deriçkë për të ruajtur pushtetin që e kishte dhe që e keqpërdori aq shumë.

Kthim prapa as që mund të ketë.

Zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë.

Shpresa e vetme për vendin është Lëvizja VETËVENDOSJE!.