Albin Kurti shkel masën e arrestit shtëpiak

26.11.2017 20:11:47

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkelur sot masën e arrestit shtëpiak, që i është caktuar dje, pas lirimit nga paraburgimi. Përveç Kurtit, të njëjtën masë e ka shkelur edhe bashkëpartiakja e tij, Donika Kadaj-Bujupi.

Kurti e Kadaj-Bujupi ishin arrestuar të premten, pasi për disa herë nuk ishin paraqitur në gjykim, për rastin që ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga VV kanë marrë pjesë në mbrëmjen e së dielës në një tubim të organizuar nga partia, në sheshin kryesor të Prishtinës.

Kurti ka mbajtur një fjalim para pjesëtarëve, aktivistëve e përkrahësve të Vetëvendosjes, që kanë dalë në qytet për të festuar fitoren e Shpend Ahmetit në garën për Prishtinën.

“Aty më shkruante arrest shtëpiak, por unë nuk kam shtëpi dhe jetoj në banesë me qira. Pasi që është aq afër, sikur të ishte shtëpi, sheshi do të ishte oborri im. Andaj sot dola në oborr për të uruar qytetarët dhe Shpend Ahmetin për fitoren në Prishtinë”, ka thënë Kurti.