Albulena Haxhiu: Demarkacionin do ta kundërshtojmë brenda dhe jashtë Kuvendit

21.02.2017 13:42:21

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thekson se kjo lëvizje qysh në fillim ka paralajmëruar se cili do të jetë përfundimi i Komisionit për matjen e territorit, prandaj edhe e kanë kundërshtuar.

Ajo shkruan në rrjetin social Facebook se është e dhimbshme si po tentohet të manipulohet opinioni publik lidhur me Demarkacionin.

Lexoni të plotë postimin e saj:

Lëvizja VETËVENDOSJE!, qysh në fillim ka paralajmëruar se cili do të jetë përfundimi i Komisionit për matjen e territorit, andaj edhe e kemi kundërshtuar si të tillë.

Isa Mustafa në vend të reflektimit, vendosi kokë në vete të krijojë komisione si ky i fundit, për ta legjitimuar tradhtinë që e bëri Hashim Thaçi më 26 gusht të vitit 2015.

Mënyra se si u krijua ky komision, anëtarët që u zgjodhën, konkretisht kreu i këtij Komisioni, Hivzi Islami, një servil e njëri i nënshtruar karshi Mustafës, flasin më së miri për të vërtetat e këtij Komisioni. Këtë e dëshmojnë edhe deklarimet e dy anëtarëve të Komisionit.

Është e turpshme e dhimbshme madje për ne e papranueshme të tentohet manipulimi me opinionin publik dhe të thuhet se Çakorri është jashtë territorit të Kosovës, tashmë kur secili fakt i publikuar e parasheh Çakorrin përbrenda territorit tonë, kjo është dëshmuar me qindra herë.

Zellit për të falur territor, ne do t’i përgjigjemi me kundërshtim, përbrenda dhe jashtë Kuvendit.

Qeveria, prej kohësh, zgjidhjen e kësaj çështje e ka pasur para duarve. Injorimi i kërkesave qytetare dhe opozitare, do të prodhojë tensione të reja, për të cilat do mbahet vetë përgjegjëse.