Aleanca e pavendosur nëse do të mbetet pjesë e qeverisë

24.12.2017 19:57:12

Aleanca për shqiptarët akoma nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë në Qeveri ose do të del prej saj.

Kreu i kësaj partie, Ziadin Sela tha se në Kuvendin qendror të partisë nuk është diskutuar aspak lidhur me këtë çështje. Ai përsëriti edhe njëherë se Ministria e Shëndetësisë  i takon Aleancës për Shqiptarët dhe për një gjë të tillë, siç tha ai, nuk ka pse të diskutohet.

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët

“Vendi bosh që ka ngel në Qeveri që i ka takuar Aleancës për Shqiptarët është Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë I takon Aleancës për shqiptarët dhe për këtë ne nuk kemi pse diskutojmë. Do ta shohim kur të votohet atë ditë në parlament, qëndrimet tona janë parimore dhe principiel. Do të informoheni në të ardhmen për një vendim të tillë nëse do të kemi ndonjë vendim të tillë”

Ndërkaq ishte e paqartë deklarata e Arben Taravarit nga Aleanca për shqiptarët, i cili u shpreh se Aleanca për shqiptarët tashmë është partia e parë opozitare shqiptare.

Arben Taravari, Aleanca për shqiptarët

“Dhe në fund duhet të përfundojë me një kongres I cili premton, tashmë jemi partia e parë opozitare shqiptare që dalim të suksesshëm dhe Aleanca për Shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shpresoj të jetë edhe fituese në Republikën e Maqedonisë, mendoj në palën shqiptare.”

Në kuvendin qendror të partisë u vendos që kongresi i partisë do të mbahet më 11 mars të vitit 2018, kur do të zgjidhet kryetari, nënkryetari, kryesia qendrore dhe kuvendarët.