Aleksandër Vuçiç: Çështja kyçe për Serbinë në BE është Kosova, pastaj Rusia

12.08.2017 23:05:46

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se nuk ndan qëndrimin e David McAllister se për BE-në sundimi i ligjit është fusha kryesore për përparimin e Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Çështje kryesore është Kosova, e dyta është raporti i Serbisë ndaj Rusisë dhe jo sundimi i ligjit, edhe pse politikanët perëndimorë këtë e nxjerrin gjithmonë”, tha Vuçiç për media.

I pyetur se çfarë e brengos më së shumti sa i përket sundimit të ligjit, kreu i shtetit serb tha se fusha kyçe drejt rrugës në BE janë Kosova, politika e jashtme dhe sundimi i ligjit dhe më së shumti “koka i dhemb” sa i përket marrëdhënieve Beograd-Prishtinë.

“Vetëm Serbia ka Kapitullin 35, andaj është i rëndësishëm dialogu ynë i brendshëm për Kosovën, pasi derisa të mos ketë përparim në marrëdhënie për këtë çështje, nuk do të ketë përparim drejt rrugës për në BE”, tha Vuçiç.