Aleksander Vulin: Thaçi flet për ushtrinë, sa herë nuk ka përgjigje për...

Aleksander Vulin: Thaçi flet për ushtrinë, sa herë nuk ka përgjigje për papunësinë dhe ikjet nga Kosova

23.09.2017 15:25:26

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, ka përsëritur qëndrimet e tij, duke iu kundërpërgjigjur edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se Kosova s’mund ta ketë ushtrinë e vet.

Hashim Thaçi deklaroi në një intervistë nga New York-u se Kosova s’ka alternativë as plan tjetër pos formimit të ushtrisë, gjë e cila, sipas tij, do të ndodhë deri në fund të këtij viti, por këtë deklarim e kundërshtoi ministri serb Vulin.

I pyetur rreth këtyre deklarimeve të Thaçit, ai pohoi se në Kosovë mund të ketë vetëm një ushtri të armatosur dhe kjo është ushtira e KFOR-it, njofton Klan Kosova.

Këto qëndrime Vulin ka thënë se i ka prezentuar edhe para personelit të NATO-s, derisa ishte në vizitë atje.

“Ushtria e Kosovës nuk do të formohet në territorin e Kosovës dhe Metohisë, në teritorin e ‘provincës serbe’ është vetëm një forcë e armatosur, kjo forcë është KFOR-i”, tha ai.

Vulin ka shtuar se deklaratat e Thaçit më shumë janë për konsum të brendshem sesa një politikë reale.

“Sa herë që Thaçi nuk e di se si të shpjegojë papunësinë e lartë në Kosovë, apo pse mijëra qytetarë ikin dhe pse duhet t’i zbatojë dispozitat e marrëveshjes së Brukselit të cilat flasin kundër pavarësisë së Kosovës, ai e kujton ushtrinë”.

“Kjo është mënyra e tij për t’u dukur i guximshëm”, ka deklaruar Vulin.