Ali Ahmeti jep mbështetje Ramiz Lladrovcit

02.12.2016 23:14:47

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka komentuar kandidaturën e Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ali Ahmeti ka shkruar si më poshtë.

“Të nderuar bashkëkombas, të nderuar banor të Drenasit, të nderuar drejtues të lartë të Partisë Demokratike të Kosovë, fort e respektuara familje e imja Lladrovci, i dashur Ramiz,

ndjej kënaqësi të veçantë, por njëkohësisht edhe përgjegjësi për mundësinë që më ipet për t’ju drejtuar sonte në përmbyllje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në komunën tuaj.

Unë jam një prej jush, unë ndjehem si banor i komunës suaj dhe për këtë arsye e ndjej gjithashtu të nevojshme që t’ju drejtohem me përkrahje të plotë dhe të parezervë për shokun tim, vëllaun tim dhe Kryetarin e ardhshëm të Drenasit, Ramiz Lladrovcin.

Jam tërësisht i bindur që Ramizi është zgjedhja më e mirë për Drenasin tonë dhe duke e njohur atë për vite të tëra, ju siguroj që Ramizi është zgjedhja më e mirë edhe për secilin nga ju, për familjet e juaja dhe për komunën.

Përkushtimi i Ramizit në çdo punë është i pashembullt dhe pa asnjë dyshim të vetëm, Drenasi nuk mund të gjen person më tē pērkushtuar dhe dedikuar për vatanin e vet se sa biri i vet, Ramizi.

Ramiz, në ty e shoh shokun dhe vëllaun tim Fehmiun, në familjën tënde ndjehem si në shtëpinë time, si bir i juaji, andaj të uroj shëndet, sukses në zgjedhjet e së dielës dhe të dalësh me faqe të bardhë nga kjo detyrë e rëndësishme duke e arsyetuar besimin e popullit dhe të gjithë neve” (sic.), ka shkruar Ahmeti.