Alkimia e Ballkanit: Kosova, vendi që çdo ditë ndryshon

18.03.2017 00:41:03

Një nga gazetarët më të njohur të ish-Jugosllavisë, Goran Milliq, për kanalin Al Jazeera Balkans është duke përgatitur një seri unike të dokumentarëve. Fjala është për projektin Alkimia e Ballkanit, në kuadër të së cilës janë prezantuar Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Që një muaj, në Al Jazeera po transmetohen dokumentarët për Kosovën, që shihet se është punuar për një kohë të gjatë, pothuajse në çdo cep të Kosovës, e që shfaq anët më të veçanta të shtetit më të ri të Evropës.

Episodi i I-rë

Në episodin e parë për Kosovën shfaqen ndryshimet në Prishtinë. Herën e fundit në kryeqytetin e Kosovës Milliqi ishte para 30 vitesh, ndaj sheh ndryshime të mëdha në të. Për të ky nuk është qyteti i njëjtë: automobila ka katër herë më shumë, kudo ndërtohet, në vend të një hoteli të njohur Grand janë dhjetëra të rinj të kategorive të larta… Qyteti është plot me auto-sallone, qendra tregtare, rrugët janë të mira…

Megjithatë, ish-zyrtari komunist i Kosovës, avokati Azem Vllasi, konsideron se pamja e bukur jashtme është veç “kapital i vdekur”, se prodhimi është frenuar, e se njësitë e mëdha industriale nga socializmi nuk janë përtërirë e as nuk janë zëvendësuar me të rejat. Në anën tjetër, gjërat pozitivisht i sheh presidenti Hashim Thaçi meqë, sipas tij, është përfunduar me sukses faza kryesore e krijimit të shtetit dhe se shpejtë do të nis edhe prosperiteti ekonomik, transmeton Telegrafi.

Një figurë shumë e veçantë për Milliqin është 15-vjeçari Ardian Ruhani, që shet kikirikë në rrugët e Prishtinës. Por, ai është nxënës i shkëlqyer, futbollist i mirë, që ndihmon familjen, që e ka mësuar vet anglishten e që ka dëshirë për të udhëtuar në Gjermani apo në Amerikë. Ai do të donte të ishte futbollist, por nëse dështon në këtë, mendon të ketë biznes të vetin sepse mendjen e ka se si ta ndihmojë familjen.

Në këtë pjesë vjen edhe historia për rezervatin e arinjve dhe shpëtimin e kafshëve fatkeqe, që mbaheshin në kafaze të vogla të një restoranti, për të tërhequr mysafirët. Tani ato kanë hapësirë prej 60 hektarëve, në afërsi të Prishtinës, ndërkaq në të strehim gjejnë edhe arinjtë nga Shqipëria.

Në fund vjen violinisti i Filarmonisë së Kosovës, Visar Kuçi, që interpreton himnin e Kosovës. Ai thotë se me muzikë klasike nuk mund ta mbajë familjen dhe se shumicës së shqiptarëve në zemër u fle më shumë “Himni i flamurit”.