Amaneti i fundit i Osama Bin Laden

11.09.2016 20:09:06

Osama Bin Laden i ka lënë familjes së tij 29 milionë dollarë në Sudan me qëllimin për të vazhduar luftën e shenjtë, sipas një testamenti të lënë nga ish kreu i Al Kaedës, i deklasifikuar nga qeveria e SHBA-së.

“Shpresoj që vëllezërit e mi, motrat dhe tezet t’i binden vullnetit tim dhe të shpenzojnë të gjitha paratë që kam lënë në Sudan për xhihadin (luftën e shenjtë) për të mirën e Allahut”, shkroi Bin Laden në testamentin e tij, i gjetur në kompleksin pakistanez ku forcat amerikane vranë në maj të 2011-ës, ish liderin e Al Kaedës.

“Në Sudan ka rreth 29 milionë dollarë”, shkruante Bin Laden, i cili jetoi në këtë vend afrikan gjatë disa viteve, pas përballjes me monarkinë saudite dhe para se të transferohej në Afganistan, ku pati mbrojtjen e milicëve talibanez.

Në një letër të datës 15 gusht, 2008 Bin Laden i kërkonte babait të tij të kujdesej për gruan dhe fëmijët në qoftë se ai vdiste. “I dashur baba, të besoj gruan dhe fëmijët, dhe që të interesohesh gjithmonë për ta, të dish vendndodhjen e tyre dhe t’i ndihmosh në martesat dhe nevojat e tyre”, shkruante ai. Në paragrafin e fundit ai i kërkonte falje babait të tij, “nëse kishte bërë diçka që nuk i kishte pëlqyer”.

Por me avancimin e luftës kundër Al Kaedës, liderët e saj ishin gjithnjë e më të shqetësuar nga mundësia se mund të rrethoheshin nga spiunë, dronë dhe aparate të fshehta përgjimi. Një dokument zbulon se Al Kaeda ekzekutoi katër aspirantë vullnetarë pasi dyshonte se ishin spiunë, por që më pas zbuluan se nuk ishin të tillë. Në një tjetër dokument me datë 11 maj 2010, Bin Laden paralajmëronte Atiyah Abd al Rahman, numrin dy të organiztës terroriste, që të merrte masa kur të intervistohej me gazetarin e Al Xhazirës, Ahmad Zaidan pasi SHBA-ja mund të ndiqte lëvizjet e tij përmes aparateve të instaluara në sendet e tij apo përmes satelitit.

Dyshimet për ekzistencën e mikroçipeve lexohen në disa dokumente. Në një tjetër letër Bin Laden shprehte shqetësimin për vizitën e gruas së tij tek një dentist në Iran, pasi aty mund të kishin instaluar një çip në dhëmbë. Testamenti i Bin Laden dhe dokumente të tjera, deri më dje sekrete, dolën në dritë me kërkesë të presidentit të SHBA-së, Barack Obama, për të rritur transparencën mbi çështjet e lidhura me sigurinë kombëtare, sipas një komunikate të Zyrës së Drejtorit Kombëtar të Inteligjencës. Materiali i deklasifikuar përmban 113 dokumente dhe pjesa më e madhe e tyre janë letra të familjarëve dhe letërkëmbime të Bin Ladenit me liderë të tjerë të organizatës terroriste.

Veç të tjerash në kompleksin pakistanez të Abotabadit ku fshihej Bin Laden u gjetën dokumente ku lideri i Al Kaedës përshkruante një plan për të realizuar një fushatë mediatike, duke përfituar nga afrimi i përvjetorit të dhjetë të atentateve terroriste të 11 shtatorit, 2001 në SHBA. Kjo është hera e dytë që SHBA-ja deklasifikon dokumente të gjetura në strofullin e Bin Ladenit në Abotabad, Pakistan. Deklasifikimi i parë u bë në maj të 2015-ës, ku Zyra e Drejtorit Kombëtar të Inteligjencës zbuloi 103 dokumente ku përfshiheshin edhe letra personale të Bin Ladenit, që qëndronte i fshehur që prej 2006 të Pakistan.