Ambasada gjermane: Institucionet të themelohen sa më shpejt, Kosova nuk ka kohë për të humbur

08.08.2017 10:26:28

Ambasada gjermane në Kosovë ka bërë thirrje që institucionet e reja të formohen së shpejti, pasi sipas tyre, Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Po ashtu ambasada gjermane u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të lënë anash akuzat dhe fyrjet ndaj njëri tjetrit, dhe të gjejnë mënyrën e formimit të institucioneve të reja.

“Kosova po përballet me shumë sfida urgjente. Trajtimi i tyre kërkon një qeveri funksionale. Ne shpresojmë që institucionet të themelohen së shpejti pasi që Kosova nuk ka kohë për të humbur. Këshilla jonë do të ishte: Më pak energji për shpifje ndaj kundërshtarit përkatës politik dhe më shumë energji për kompromise konstruktive të pranueshme”, thuhet në përgjigjen  e kësaj ambasade në një intervistë për Telegrafin.

Ambasada gjermane ka lënë të kuptohet se nuk do të përfshihet në gjetjen e ndonjë zgjidhje pas krizës aktuale. Ata kanë thënë se janë përfaqësuesit e zgjedhur që kanë krijuar këtë krizë dhe ata duhet ta zgjidhin.

“Janë përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës ata që kanë sjellë këtë krizë dhe duhet të jenë përgjegjës për të gjetur një rrugë për ecur përpara. Gjermania do të punojë me çdo qeveri që përfaqëson shumicën në Parlament. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën dhe qytetarët e saj drejt një të ardhmeje të begatë në Evropë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Seksionit për Politikë, Medie, Kulturë dhe Protokoll, të ambasadës së Gjermanisë.